Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado, gjatë një konference për shtyp, deklaroi se bonusi do të përfitohet  së bashku me këstin mujor të pensionit, sipas datave të përcaktuara.

Janë rreth 704 mijë individë, të cilët do të përfitojnë shpërblimin prej 5,000 lekë, me një efekt financiar në buxhetin e shtetit që llogaritet në rreth 3.5 miliardë lekë.

“Dëshiroj të garantoj të gjithë përfituesit se i gjithë fondi është i miratuar sipas ligjit organik të buxhetit dhe është në dispozicion. Asnjë individ nuk do të humbasë të drejtën e tërheqjes së këtij shpërblimi, pasi ajo ruhet deri në dhjetor të vitit 2024”, tha z. Hado.

Sipas Vendimit të miratuar nga Këshillii Ministrave, të drejtën për shpërblim e kanë edhe personat që aktualisht nuk kanë dalë në pension, por që e drejta për pension ju lind deri në datën 31.12.2023, përfshirë edhe këtë datë.

Z. Hado garantoi se janë marrë të gjitha masat, që si nga ana e Postës Shqiptare sha, ashtu edhe nga bankat e nivelit të dytë, të ndiqen të gjitha procedurat, sipas parashikimeve ligjore për përfitimin e plotë dhe në kohën e duhur të këtij shpërblimi.

Në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në datat 12-14 mars 2024, u zhvillua raundi i dytë i negociatave mes Shqipërisë dhe Serbisë, në fushën e sigurimeve shoqërore.

Këto negociata u zhvilluan në frymën e plotë të bashkëpunimit dhe në aspektin teknik u drejtuan nga Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore z. Astrit Hado dhe stafi teknik.

Në përfundim të tyre, palët parafirmosën Marrëveshjen Kuadër. Për palën shqiptare kjo marrëveshje u parafirmos nga Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, znj.Olta Manjani, ndërsa për palën serbe nga përfaqësuesi i Ministrisë së Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale z. Zoran Milosevic.

Marrëveshja ju siguron qytetarëve shqiptarë një sërë përfitimesh, si: pensionin e pleqërisë, përfitimet e barrëlindjes, pensionin familjar, atë të invaliditetit etj.

Ajo gjithashtu siguron bashkimin e periudhave kontributive, duke bërë që qytetarët të mos humbasin vitet e tyre të punës.

Me përfundimin e të gjithë procedurave teknike, përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi, Marrëveshja do të ratifikohet nga parlamentet e të dy vendeve tona.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore zhvilloi  në datë 29 mars analizën vjetore për vitin 2023, ku mori pjesë edhe zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, znj. Olta Manjani.

Gjatë fjalës së saj, znj. Manjani e vuri theksin te përmirësimi i mëtejshëm i përformancës  financiare, qëndrueshmëria e skemës së sigurimeve shoqërore, si edhe tek aplikimi i zgjidhjeve novatore, që do të përmirësonin ndjeshëm ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Reforma e pagave, që po vijon të ndërmerret nga qeveria shqiptare, ka dhënë efekte në përmirësimin e ndjeshëm të qëndrueshmërisë financiare të skemës së pensioneve.

Për herë të parë deficiti i skemës zbriti poshtë 1% të PBB-së edhe në vlerë absolute.

Nga ana tjetër dhe numri i kontribuesve u rrit me 3.6% ose me 27,521 persona, në krahasim me vitin 2022.

Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, z. Astrit Hado, vlerësoi punën e bërë nga të gjitha strukturat, si në DRSSH, ashtu edhe në qendër, veçanërisht sa i përket reduktimit të kohës së lidhjes së pensioneve, si dhe ofrimit të shërbimeve në rrugë elektronike.

Gjatë vitit 2023, numri i aplikimeve të përpunuara ishte 411,570 ose 72,536 aplikime më shumë se gjatë vitit 2022, me një rritje prej 21.4%, pa përfshirë ato shërbime që përfitohen automatikisht nga e-Albania. Në këtë mënyrë qytetarët kanë arritur të marrin më shumë shërbime, me cilësi dhe në kohë reale.

Për vitin 2024, Instituti i Sigurimeve Shoqëore ka përcaktuar një sërë objektivash ambiciozë, siç janë: rritja e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, thjeshtimi i procedurave, eliminimi i barrierave administrative, respektimi i afateve të shërbimit, rritja e pjesëmarrjes në skemë e fermerëve, por edhe pjesëmarrja aktive për arritjen e marrëveshjeve bilaterale në fushën e mbrojtjes shoqërore.

Forumi Rajonal për Mbrojtjen Shoqërore për Europën, që po zhvillohet në Porto të Portugalisë, vlerësoi Institutin e Sigurimeve Shoqërore me katër “Certifikata Merite” për ofrimin e shërbimeve online.

Në ceremoninë e posaçme, ku mori pjesë Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, z. Astrit Hado, programi për mbrojtjen e veçantë për gratë e papuna me tre apo më shumë fëmijë të mitur, për të cilat shteti mbulon kontributet e sigurimeve shoqërore u vlerësua me çmimin “Certifikatë e Meritës me Përmendje të Veçantë” nga Komisioni Teknik i ISSA-s dhe Juria e pavarur ndërkombëtare e Konkursit “ISSA Good Practice Award  Europe 2024”.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore u vlerësua gjithashtu me “Certifikata Merite” edhe për 3 praktika:

  • Dixhitalizimi i arkivës së sigurimeve shoqërore;
  • Përmirësimi i përfitimeve të sigurimeve shoqërore, nëpërmjet raporteve elektronike mjekësore ( e-Raporte);
  • Si dhe për të gjitha shërbimet e tjera të ofruara online.

Shqipëria arriti të dallonte me shërbimet e saj në garën mes 40 institucioneve të sigurimeve mes 26 shteteve, pjesë e Rrjetit Europian të ISSA-s dhe 119 praktikave.

Qëllimi i këtij konkursi ishte prezantimi dhe vlerësimi i institucioneve që kanë në fokus përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Shqipëria, tashmë renditet mes atyre vendeve që me efikasitet po zbaton një reformë të plotë digjitalizimi dhe për të cilën edhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore po punon me profesionalizëm në rritjen e mëtejshme të cilësisë dhe arritjen e standardeve europiane.