Instituti i Sigurimeve Shoqërore zhvilloi në datë 29 mars analizën vjetore për vitin 2023, ku mori pjesë edhe zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, znj. Olta Manjani.
Gjatë fjalës së saj, znj. Manjani e vuri theksin te përmirësimi i mëtejshëm i përformancës financiare, qëndrueshmëria e skemës së sigurimeve shoqërore, si edhe tek aplikimi i zgjidhjeve novatore, që do të përmirësonin ndjeshëm ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Reforma e pagave, që po vijon të ndërmerret nga qeveria shqiptare, ka dhënë efekte në përmirësimin e ndjeshëm të qëndrueshmërisë financiare të skemës së pensioneve.
Për herë të parë deficiti i skemës zbriti poshtë 1% të PBB-së edhe në vlerë absolute.
Nga ana tjetër dhe numri i kontribuesve u rrit me 3.6% ose me 27,521 persona, në krahasim me vitin 2022.
Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, z. Astrit Hado, vlerësoi punën e bërë nga të gjitha strukturat, si në DRSSH, ashtu edhe në qendër, veçanërisht sa i përket reduktimit të kohës së lidhjes së pensioneve, si dhe ofrimit të shërbimeve në rrugë elektronike.
Gjatë vitit 2023, numri i aplikimeve të përpunuara ishte 411,570 ose 72,536 aplikime më shumë se gjatë vitit 2022, me një rritje prej 21.4%, pa përfshirë ato shërbime që përfitohen automatikisht nga e-Albania. Në këtë mënyrë qytetarët kanë arritur të marrin më shumë shërbime, me cilësi dhe në kohë reale.
Për vitin 2024, Instituti i Sigurimeve Shoqëore ka përcaktuar një sërë objektivash ambiciozë, siç janë: rritja e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, thjeshtimi i procedurave, eliminimi i barrierave administrative, respektimi i afateve të shërbimit, rritja e pjesëmarrjes në skemë e fermerëve, por edhe pjesëmarrja aktive për arritjen e marrëveshjeve bilaterale në fushën e mbrojtjes shoqërore.