Çfarë janë dhe pse duhet të paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore ?
Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore janë pagesa të detyrueshme të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi, për personat që ushtrojnë veprimtari ekonomike, përfshirë edhe të vetëpunësuarit.
Pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore siguron, mbulimin me elemente të sigurimeve shoqërore dhe mundëson përfitimin nga skema e sigurimeve shoqërore, në përputhje me kushtet e përcaktuara në legjislacion.
Pagesa në kohë e kontributeve për sigurimet shoqërore është e rëndësishme për ruajtjen e vazhdimësisë së sigurimit dhe për garantimin e të drejtave të përfitimeve.
Cilat janë hapat e parë për regjistrimin e një biznesi?
Para fillimit të aktivitetit ekonomik, biznesi duhet të regjistrohet në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), nëpërmjet portalit e-Albania. Pas regjistrimit dhe pajisjes me NIPT dhe certifikatën e regjistrimit, subjekti duhet të përmbushë detyrimet për deklarimin edhe pagesat e detyrimeve tatimore, të kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.
Tatimpaguesit, persona juridikë dhe fizikë janë të detyruar të deklarojnë në formë elektronike në administratën tatimore të punësuarit (përfshirë dhe punonjësit e papaguar të familjes së personit fizik, me të cilët ai punon e bashkëjeton ligjërisht), që fillojnë punë për herë të parë apo të punësuar rishtazi pranë tij. Ky deklarim me të dhënat e kërkuara për secilin punonjës bëhet të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës së të punësuarve të rinj apo rishtazi nëpërmjet formularit E-SIG 027/a “Pasqyra e të punësuarve për herë të parë, atyre rishtazi, si dhe e të larguarve nga puna”.
Baza ligjore mbi të cilën paguhen kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për çdo tatimpagues, person fizik apo juridik ;
- LIGJ NR. 9136, DATË 11.09.2003, “PER MBLEDHJEN E KONTRIBUTEVE TË DETYRUESHME TË SIGURIMEVE SHOQËRORE DHE SHËNDETËSORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË (Ndryshuar me Ligjin nr. 9164, datë 18.12.2003, 9329, datë 6.12.2004, nr. 9933, datë 26.6.2008, nr. 10/2012, datë 9.2.2012, 87/2014, datë 17.7.2014, nr. 143/2015, datë 17.12.2015,ndryshuar me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 60, datë 16.9.2016, Aktin normativ nr. 1, datë 25.1.2017, i përditësuar 2017
- LIGJ NR. 7703, DATË 11.5.1993 “PËR SIGURIMET SHOQËRORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR.
- VENDIM NR. 77, DATË 28.1.2015 “PËR KONTRIBUTET E DETYRUESHME DHE PËRFITIMET NGA SISTEMI I SIGURIMEVE SHOQËRORE DHE SIGURIMI I KUJDESIT SHËNDETËSOR”, i përditësuar.
- UDHËZIM NR. 23, DATË 09.12.2014 “PËR MBLEDHJEN E KONTRIBUTEVE TË DETYRUESHME TË SIGURIMEVE SHOQËRORE DHE SHËNDETËSORE”, i përditësuar.
- VKM NR.158, DATË 12.3.2022 “PËR PËRCAKTIMIN E PAGËS MINIMALE NË SHKALLË VENDI”.
- VKM Nr. 604, DATË 14.09.2022 “PËR PËRCAKTIMIN E PAGËS MINIMALE NË SHKALLË VENDI”.
- VKM NR. 113, DATË 01.03.2023 “PËR PËRCAKTIMIN E PAGËS MINIMALE NË SHKALLË VENDI”.
- VKM NR. 776, DATË 19.12.2025 “PËR PËRCAKTIMIN E PAGËS MINIMALE NË SHKALLË VENDI”.
Çfarë përfitohet nga pagesa e kontributeve të detyrueshme për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore
Nga pjesëmarrja në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore (pagesa e kontributeve) përfitohen :
- Pension pleqërie;
- Pension pleqërie i reduktuar;
- Pension familjar;
- Pension invaliditeti;
- Pension i pjesshëm invaliditeti;
- Shërbim shëndetësor dhe rimbursim ilaçesh.
Kush quhet “Punëdhënës” ?
“Punëdhënës” quhen të gjithë personat fizikë e juridikë, që punësojnë persona të tjerë në përputhje me Kodin e Punës.
Kush quhet “Person i Vetëpunësuar” ?
Person i Vetëpunësuar është personi, i cili ushtron aktivitet ekonomik dhe siguron të ardhura të rregullta nga veprimtaria ekonomike.
Cilat janë detyrimet e punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit ?
Punëdhënësi dhe i vetëpunësuari janë të detyruar:
a) të regjistrojnë në regjistrin vjetor të gjithë të punësuarit;
b) të njoftojnë në organet tatimore për ndryshimet dhe lëvizjen e punonjësve, sipas procedurave të përcaktuara me Ligj;
c) të bëjnë sigurimin nga dita e parë, kur i punësuari fillon punë;
ç) të dorëzojnë në organet tatimore dokumentacionin, ku evidentohen paga dhe kontributi për çdo të punësuar, sipas formatit dhe afateve të përcaktuara me Ligj.
Në mbështetje të Kodit të Punës punëdhënësi është i detyruar të nënshkruajë një kontratë pune me punëmarrësit, me kohë të plotë ose të pjesëshme;
- Punëdhënësi duhet të mbajë regjistra për periudhën e marrëdhënieve të punës dhe shumat e paguara për çdo punëmarrës, me kohë të plotë ose të pjesëshme;
- Të bëjë sigurimin e çdo punëmarrësi, me kohë të plotë ose të pjesëshme, duke filluar nga data e fillimit të punës, sipas përcaktimit në kontratën e punës ose në aktin e emërimit;
- Të bëjë llogaritjen, deklarimin dhe pagesën e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, brenda afateve të përcaktuara për çdo punëmarrës.
Rregullat e lëvizjes së informacionit dhe të dokumentacionit ndërmjet punëdhënësit, strukturave tatimore dhe strukturave të sigurimeve shoqërore përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Punëdhënësi përgjigjet për punësimin dhe riaftësimin profesional të invalidëve, që janë të aftë për punë në kushte të veçanta, sipas rekomandimit të organit kompetent (KMCAP), dhe që caktohen nga zyrat e punës. Rregullat përcaktohen me ligj të veçantë.
Mbi ç’pagë duhet të llogariten kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për çdo punëmarrës?
Paga minimale mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore aktualisht është 50,000 lekë, dhe paga maksimale pёr efekt tё kontributeve shoqёrore rritet me të njëjtën masë dhe në të njëjtën kohë me masën që rritet paga minimale në shkallë vendi.
Pagesa e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore kryhet nga punëdhënësi, sipas afateve të përcaktuara me ligj.
- Punëdhënësi ka detyrim ligjor për llogaritjen, deklarimin dhe pagesën e kontributeve në kohën dhe masën e duhur.
Listëpagesa është një deklaratë e subjektit, në të cilën evidentohen kontributet individuale, dhe si e tillë, në mbështetje të Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” tatimpaguesi që nuk lëshon deklaratën tatimore në afat dënohet me gjobë me 10 000 lekë, për çdo deklaratë tatimore.
- Punëdhënësi, i cili nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së kontributeve të papaguara, detyrohet të paguajë edhe një gjobë 10, 000 lekë për çdo rast.
- Punëdhënësi duhet të dorëzojë në formë elektronike deklaratën “Listëpagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi” dhe të paguajë rregullisht sipas afateve të caktuar të gjitha detyrimet për kontributet.
Në këtë kuptim, çdo tatimpagues, punëdhënës, pavarësisht nga pamundësia e tij financiare për të paguar të gjitha detyrimet për kontributet, është i detyruar që brenda afateve të caktuara, të paguajë tërësisht pjesën e detyrimeve për kontributet që mbahen nga paga e punëmarrësve.
- Listëpagesa është dokumenti bazë për dhënien dhe llogaritjen e përfitimeve për çdo punonjës, si dhe vërtetimeve të kërkuara prej tyre.
Si bëhet llogaritja e kontributeve për të vetëpunësuarit dhe për punonjësit e papaguar të familjes?
- Në mbështetje të ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, personi fizik, për vete, me dëshirën e tij, kontributet e sigurimeve shoqërore mund t’i llogarisë e paguajë mbi bazën e një page edhe më të madhe nga paga minimale në shkallë vendi deri në kufirin e pagës maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore të punëmarrësit.
- Të vetëpunësuarit dhe personat e papaguar të familjes që ushtrojnë veprimtari ekonomike, sigurohen në mënyrë të detyrueshme për barrëlindje, pensione dhe sigurim shëndetësor;
- Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për personat fizikë, llogariten me përqindje mbi pagën mujore minimale në shkallë vendi.
- Kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vete dhe për punonjësit e papaguar të familjes, mbi 16 vjeç, që punojnë e jetojnë ligjërisht, llogariten mbi bazën e pagës mujore minimale, e cila është 50, 000 lekë në muaj;
- Për kontributet e sigurimeve shoqërore ju paguani 23% të pagës minimale mujore prej 50,000 lekë;
- Për kontributet e sigurimeve shëndetësore ju paguani 3, 4% të dyfishit të pagës minimale mujore prej 50,000 lekësh.
Si bëhet llogaritja e kontributeve për të punësuarit?
Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për personat e punësuar në subjektet juridike apo fizike llogariten mbi bazën e pagës bruto mujore brenda kufirit të pagës minimale në shkallë vendi dhe kufirit të pagës maksimale për efekt të llogaritjes të kontributeve të sigurimeve shoqërore të miratuara me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave.
Kontributet e detyrueshme per sigurimet shoqërore ndahen në përqindje mbi pagën bruto mujore, sipas degëve të sigurimit:
- Dega e sigurimit të sëmundjeve 0.3%
- Dega e sigurimit të barrëlindjeve 1.40 %
- Dega e sigurimit të pensioneve 21.6%
- Dega e sigurimit të aksidenteve 0.3%
- Dega e sigurimit të papunësisë 0.90%
Për kontributet e sigurimeve shoqërore për një të punësuar paguhen 24.50% të pagës bruto mujore, e cila duhet të jetë jo më pak se paga minimale dhe jo më shumë se paga maksimale, e përcaktuar në këtë vendim, për efekt të llogaritjes së kontributeve shoqërore.
Për kontributet e sigurimeve shëndetësore për një të punësuar paguhen 3.4% të pagës bruto mujore.
Për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në total për një të punësuar paguhen 27.9% të pagës bruto mujore.
Cilat janë afatet e pagesës së kontributeve?
Pagesa e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhen në afatet e mëposhtme:
a) nga personat juridike, përjashtuar personat juridikë të regjistruar si tatimpagues të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, brenda datës 20 të muajit pasardhës.
b) nga personat fizikë, përjashtuar personat fizikë të regjistruar si tatimpagues të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, brenda datës 20 të muajit pasardhës. Deklarata në këtë rast do të përfshijë personat e vetëpunësuar, punonjësit e papaguar të familjes si dhe të punësuarit.
c) nga personat juridikë të regjistruar si tatimpagues të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, brenda datës 20 të muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujori të vitit kalendarik.
ç) nga personat fizikë të regjistruar si tatimpagues të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, brenda datës 20 të muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujori të vitit kalendarik. Deklarata në këtë rast do të përfshijë personat e vetëpunësuar, punonjësit e papaguar të familjes, si dhe të punësuarit.
Kujdes, nëse kontributet e detyrueshme për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore nuk paguhen në kohë, zbatohen penalitete.
Ku dhe si mund të paguhen kontributet ?
Kontributet paguhen në bankat, të cilat kanë marrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, me Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe me “Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor” ose pranë Postës Shqiptare.
Punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit, i paguajnë kontributet në fondin e sigurimeve shoqërore, sipas afatit dhe procedurave të përcaktuara në Ligjin nr. 9136, datë 11.09.2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar
Çfarë përfitohet si i vetëpunësuar nga pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore?
Të vetëpunësuarit me statusin e personit fizik, nëpërmjet pagesës së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore të paguara për degët e sigurimit për pension dhe barrëlindje, garantojnë përfitime për pension dhe barrëlindje sipas kritereve të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.
Nga pjesëmarrja në skemën e sigurimeve shoqërore “I Vetëpunësuari” përfiton këto lloje të pensioneve:
- Pension pleqërie;
- Pension pleqërie i reduktuar;
- Pension familjar;
- Pension invaliditeti;
- Pension i pjesshëm invaliditeti:
- Të ardhurën për barrëlindje.
Personat e vetëpunësuar si shitës ambulantë dhe punëtoret e shtëpive, paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore vetëm për degën e pensioneve duke garantuar përfitime për pension sipas kritereve të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.
Nga pjesëmarrja në skemën e sigurimeve shoqërore Personat e vetëpunësuar si shitës ambulantë dhe punëtoret e shtëpive përfitojnë këto lloje të pensioneve:
- Pension pleqërie;
- Pension pleqërie i reduktuar;
- Pension familjar;
- Pension invaliditeti;
- Pension i pjesshëm invaliditeti.
Periudhat e sigurimit të realizuara nga skema e detyueshme, qytetari mund t’i verifikojë dhe të pajiset me vërtetimin përkatës, nëpërmjet aplikimit në portalin zyrtar https://e-albania.al/


