SHTESË MBI PENSION NË ZBATIM TË LIGJIT NR. 29 /2019

I.   Shtesë mbi pensionin e pleqërisë në zbatim të Ligjit nr. 29/ 2019

Çfarë është shtesa mbi pensionin e pleqërisë ?

Është një përfitim që u jepet personave të cilat kanë punuar në profesione e punë, në miniera në nëntokë, në industrinë e naftës e të gazit dhe në metalurgji, në shtesë të pensionit të pleqërisë.

Kushtet ligjore për të përfituar shtesën mbi pensionin e pleqërisë janë :

1.Periudha e sigurimit dhe vjetërsia e punës në profesion:

a) për ish-punonjësit, të cilët kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë, trajtimi me përfitime përpara moshës dhe kushteve të përcaktuara në dispozitat e ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, do të vazhdojë të bëhet sipas përcaktimeve në dispozitat e ligjit nr. 150/ 2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë” dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij;

b) për ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 1, “Punë, që hyjnë në kategorinë e parë”, krerët IV, pikat 2 e 3, dhe XI, të vendimit nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”, të ndryshuar, përcaktohet:

    i) mosha: për burrat 55 vjeç; për gratë 50 vjeç;

    ii) periudha e përgjithshme e sigurimit: për burrat 30 vjet; për gratë 25 vjet;

    iii) vjetërsia në punë të kategorisë së parë: për burrat 15 vjet; për gratë 12,5 vjet;

c) për ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 2 “Punë, që hyjnë në kategorinë e dytë”, kreu V, të vendimit nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori, për efekt pensioni”, të ndryshuar, dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, sipas listës së miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, përcaktohet:

    i) mosha: për burrat 60 vjeç; për gratë 55 vjeç;

    ii) periudha e sigurimit: për burrat 30 vjet; për gratë 25 vjet;

    iii) vjetërsia në punë të kategorisë së dytë: për burrat 20 vjet; për gratë 15 vjet.

Kur nuk plotësohen kushtet, sipas shkronjës “b”, të kësaj pike, periudha e punës, sipas shkronjës “b”, i shtohet periudhës së punës, sipas përcaktimeve në shkronjën “c”, të kësaj pike. Në këtë rast, kushtet e përfitimit janë ato sipas shkronjës “c” të kësaj pike;

ç) për ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në metalurgji në profesione, punë dhe ndërmarrje, sipas përcaktimeve në krerët III, VIII e XII, të pasqyrës nr. 1, të vendimit nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”, përcaktohet:

    i) mosha: për burrat 60 vjeç; për gratë 55 vjeç,

    ii) periudha e sigurimit: për burrat 30 vjet; për gratë 25 vjet;

    iii) vjetërsia në punë të kategorisë së parë: për burrat 20 vjet; për gratë 15 vjet.

Si llogaritet shtesa mbi pensionin e pleqërisë ?

Masa e përfitimit të shtesës mbi pensionin e pleqërisë:

a) ish-punonjësit, sipas përcaktimeve në këtë ligj, të cilët kanë përfituar pension pleqërie ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension pleqërie, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përfitojnë shtesë pensioni për çdo vit periudhe sigurimi në profesion, sipas përcaktimeve në nenin 3, si më poshtë:

    i) punonjësit e nëntokës, 1 % të masës së pensionit të pleqërisë;

    ii) punonjësit e industrinë së naftës e të gazit dhe punonjësit e metalurgjisë, 0,6 % të masës së pensionit të pleqërisë;

b) shtesën mbi pension, sipas shkronjës “a”, e përfitojnë të gjithë personat që kanë jo më pak se 6 vite në profesionet dhe punët e përcaktuara në këtë ligj;

c) shtesën mbi pension, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike, e përfitojnë edhe personat që marrin pension sipas ligjit nr. 150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, kur data e lindjes së të drejtës për pension është deri më 31.12.2014.

Aplikimi 

Personi i interesuar për të përfituar shtesë mbi pensionin e pleqërisë duhet  të  paraqesë kërkesën për përfitim, përmes  portalit  qeveritar “e-Albania”, duke zgjedhur shërbimin “Aplikim për pension pleqërie, suplementar pilot, suplementar lundrues i nëndetëseve apo suplementar për akademik.

Dokumentet  origjinale  dërgohen  përmes  shërbimit postar  pranë  Drejtorisë  Rajonale  të  Sigurimeve  Shoqërore, ku personi i interesuar ka vendbanimin. 

II    Shtesë mbi pensionin e invaliditetit në zbatim të Ligjit nr. 29/2019

Çfarë është shtesa mbi pensionin e invaliditetit ?

Është një përfitim që u jepet personave të cilat kanë punuar në profesione e punë, në miniera në nëntokë, në industrinë e naftës e të gazit dhe në metalurgji, në shtesë të pensionin e invaliditetit të përfituar sipas ligjit nr. 7703, date …..

Kushtet ligjore për të përfituar shtesë mbi pensionin e invaliditetit :

Janë të njëjtat me kushtet e shtesës mbi pensionin e pleqërisë.

Si llogaritet shtesa mbi pensionin e invaliditetit ?

Masa e përfitimit të shtesës mbi pensionin e invaliditetit:

a) përfituesit, sipas përcaktimeve në këtë ligj, të cilët kanë përfituar ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension invaliditeti, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, kanë të drejtën e përfitimit të shtesës mbi pension në masën 1 % për çdo vit vjetërsie pune në miniera, në nëntokë, në industrinë e naftës dhe në metalurgji, sipas përcaktimeve në nenin 3 të këtij ligji;

b) për personat që përfitojnë pension invaliditeti nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, të cilët kanë vjetërsi në profesion më pak se periudha e përcaktuar në nenin 5, të këtij ligji, për efekt të shtesës mbi pension, vjetërsia në profesion, llogaritet respektivisht, për ish-minatorët 12,5 vjet, për naftëtarët dhe metalurgët 20 vjet.

Aplikimi 

Personi i interesuar, për të përfituar shtesën mbi pensionin e invaliditetit sipas ligjit nr. 29/ 2029, duhet të paraqesë kërkesën për përfitim përmes portalit  qeveritar “e-Albania”, duke zgjedhur shërbimin “Aplikim për pension pleqërie, suplementar pilot, suplementar lundrues i nëndetëseve apo suplementar për akademik”.

Dokumentet  origjinale  dërgohen  përmes  shërbimit postar  pranë  Drejtorisë  Rajonale  të  Sigurimeve  Shoqërore, ku personi i interesuar ka vendbanimin.