Çfarë është pensioni për shkak të profesionit ?
Është një përfitim që u jepet për shkak të profesionit, personave në profesione e punë, në miniera në nëntokë, në industrinë e naftës e të gazit dhe në metalurgji, kur plotësojnë kushtet.
Kushtet ligjore për të përfituar pensionin për shkak të profesionit janë :
1.Periudha e sigurimit dhe vjetërsia e punës në profesion:
a) për ish-punonjësit, të cilët kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë, trajtimi me përfitime përpara moshës dhe kushteve të përcaktuara në dispozitat e ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, do të vazhdojë të bëhet sipas përcaktimeve në dispozitat e ligjit nr. 150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë” dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij;
b) për ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 1, “Punë, që hyjnë në kategorinë e parë”, krerët IV, pikat 2 e 3, dhe XI, të vendimit nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”, të ndryshuar, përcaktohet:
i) mosha: për burrat 55 vjeç; për gratë 50 vjeç;
ii) periudha e përgjithshme e sigurimit: për burrat 30 vjet; për gratë 25 vjet;
iii) vjetërsia në punë të kategorisë së parë: për burrat 15 vjet; për gratë 12,5 vjet;
c) për ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 2, “Punë, që hyjnë në kategorinë e dytë”, kreu V, të vendimit nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori, për efekt pensioni”, të ndryshuar, dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, sipas listës së miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, përcaktohet:
i) mosha: për burrat 60 vjeç; për gratë 55 vjeç;
ii) periudha e sigurimit: për burrat 30 vjet; për gratë 25 vjet;
iii) vjetërsia në punë të kategorisë së dytë: për burrat 20 vjet; për gratë 15 vjet.
Kur nuk plotësohen kushtet, sipas shkronjës “b”, të kësaj pike, periudha e punës, sipas shkronjës “b”, i shtohet periudhës së punës, sipas përcaktimeve në shkronjën “c”, të kësaj pike. Në këtë rast, kushtet e përfitimit janë ato sipas shkronjës “c” të kësaj pike;
ç) për ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në metalurgji në profesione, punë dhe ndërmarrje, sipas përcaktimeve në krerët III, VIII e XII, të pasqyrës nr. 1, të vendimit nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”, përcaktohet:
i) mosha: për burrat 60 vjeç; për gratë 55 vjeç,
ii) periudha e sigurimit: për burrat 30 vjet; për gratë 25 vjet;
iii) vjetërsia në punë të kategorisë së parë: për burrat 20 vjet; për gratë 15 vjet.
Si llogaritet pensioni për shkak të profesionit ?
Pensioni për shkak të profesionit llogaritet sipas përcaktimeve në dispozitat e ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Personi i interesuar për të përfituar pension për shkak të profesionit duhet të paraqesë kërkesën për përfitim përmes portalit qeveritar “e-Albania”, duke zgjedhur shërbimin “Aplikim për pension pleqërie, suplementar pilot, suplementar lundrues i nëndetëseve apo suplementar për akademik”.
Dokumentet origjinale dërgohen përmes shërbimit postar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ku personi i interesuar ka vendbanimin.
Baza ligjore:
- Ligji Nr. 29/2019 “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metaligji – Shkarko në PDF
- VKM Nr. 721, datë 11.11.2019 “Për përcaktimin e dokumentacionit, shumës vjetore të transfertës nga buxheti i shtetit dhe procedurave të financimit të fondit të sigurimeve shoqërore për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”, i përditësuar – Shkarko në PDF
- VKM nr. 447, datë 03.06.2020 “Për emërtimet e profesioneve e të punëve, si pasojë e ndryshimeve të teknologjisë, organizimit e të pronësisë së kapitaleve, të cilat nuk përputhen apo parashikohen në vendimin nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori, për efekt pensioni”, të ndryshuar, si dhe emërtimet e profesioneve e të punëve të personelit inxhiniero-teknik në industrinë e naftës e të gazit, që ka punuar drejtpërdrejt në prodhim, në sektorë apo brigada, si shpim-kërkim, shpim-shfrytëzim, prodhim, sizmikë, gjeofizikë kantieriale, përpunim dhe transport me naftësjellës dhe gazsjellës” – Shkarko në PDF
- VKM nr. 448, datë 03.06.2020 “Për miratimin e listës së profesioneve dhe të punëve të personelit inxhiniero-teknik që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës – Shkarko në PDF