MARRËVESHJET DYPALËSHE TË SIGURIMEVE SHOQËRORE

Republika e Shqipërisë ka lidhur dhe zbaton marrëveshje dypalëshe për mbrojtjen shoqërore me një sërë shtetesh, me qëllim garantimin dhe koordinimin e të drejtave të sigurimeve shoqërore për personat që kanë punuar ose kanë qenë të siguruar në Shqipëri dhe në një shtet tjetër palë të marrëveshjes.

Marrëveshjet dypalëshe synojnë koordinimin e legjislacionit shqiptar të sigurimeve shoqërore me legjislacionin e shtetit tjetër, duke respektuar specifikat e secilit sistem kombëtar. Në varësi të marrëveshjes, ato mund të mbulojnë pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe familjare, si dhe përfitime të tjera të sigurimeve shoqërore dhe, në rastet e parashikuara, përfitime në natyrë dhe kujdesin shëndetësor.

Marrëveshjet dypalëshe mbështeten kryesisht në pesë parime themelore:

1. Trajtimi i barabartë

Personat e mbuluar nga marrëveshja gëzojnë të drejta dhe detyrime të barabarta me shtetasit e shtetit ku ushtrojnë veprimtarinë, në përputhje me legjislacionin dhe kushtet e marrëveshjes.

2. Përcaktimi i legjislacionit të zbatueshëm

Marrëveshjet përcaktojnë legjislacionin e sigurimeve shoqërore që zbatohet për personat që punojnë ose ushtrojnë veprimtari në të dyja shtetet, duke shmangur mbulimin dhe pagesën e dyfishtë të kontributeve. Në rastet e parashikuara, legjislacioni i zbatueshëm vërtetohet nëpërmjet “Certifikatës së mbulimit”.

3. Ruajtja e të drejtave

Marrëveshjet mundësojnë, sipas kushteve të përcaktuara në secilën marrëveshje, marrjen në konsideratë të periudhave të sigurimit të realizuara në të dyja shtetet për plotësimin e kushteve për përfitime.

Secili shtet përcakton dhe paguan përfitimin që i takon personit në bazë të periudhave të sigurimit të realizuara sipas legjislacionit të tij. Periudhat e sigurimit konfirmohen nga institucionet kompetente nëpërmjet dokumenteve ose formularëve përkatës.

4. Eksportimi i përfitimeve

Marrëveshjet mundësojnë, sipas kushteve të përcaktuara në secilën marrëveshje, pagesën e përfitimeve edhe kur përfituesi banon në shtetin tjetër palë të marrëveshjes.

5. Bashkëpunimi dhe ndihma administrative

Zbatimi i marrëveshjeve mbështetet në bashkëpunimin ndërmjet institucioneve kompetente të dy shteteve, nëpërmjet shkëmbimit të informacionit, verifikimit të periudhave të sigurimit dhe përdorimit të formularëve e dokumenteve përkatëse.

Kjo u mundëson personave të mbuluar nga marrëveshja të paraqesin kërkesat për përfitime pranë institucioneve kompetente në Shqipëri ose në shtetin tjetër, sipas procedurave të përcaktuara në marrëveshjen përkatëse.

Republika e Shqipërisë zbaton marrëveshje dypalëshe në fushën e sigurimeve shoqërore me shtetet e mëposhtme: