REPUBLIKA E HUNGARISË

Marrëveshja në fushën e mbrojtjes shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Hungarisë eshte nënshkruar në 10.12.2014 dhe u ratifikua nga Parlamenti Shqiptar me Ligjin nr. 151/2015 “Për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Hungarisë për Mbrojtjen Shoqërore”.

Kjo Marrëveshje është në fuqi dhe zbatohet nga data 01.07.2016

Fushat e mbuluara

Marrëveshja për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Hungarisë mbulon:

  • përfitimet në para për sëmundje dhe barrëlindje;
  • përfitimet për aksidente në punë dhe sëmundje profesionale;
  • pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe familjare;
  • sigurimin shëndetësor dhe përfitimet e skemës së sigurimit shëndetësor të detyrueshëm.

Dokumente

LIGJ NR. 151/2015 “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE HUNGARISË PËR MBROJTJEN SHOQËRORE”.

Procedurat Administrative janë pjesë e Marrëveshjes dhe nuk paraqiten si një Marrëveshje Administrative e veçantë, por si shtojcë e saj.

Institucionet kompetente

Zbatimi i Marrëveshjes kryhet nga institucionet kompetente të Shqipërisë dhe Hungarisë, në varësi të llojit të përfitimit.

Në Shqipëri: Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH), për përfitimet e sigurimeve shoqërore, dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), për përfitimet e kujdesit shëndetësor.

Në Hungari: Marrëveshja përcakton institucionet kompetente dhe organizatat ndërlidhëse sipas llojit të përfitimit dhe fushës përkatëse

Marrëveshja parashikon përdorimin e formularëve të përbashkët për trajtimin e kërkesave për pension, deklarimin e periudhave të punësimit dhe shkëmbimin e informacionit ndërmjet institucioneve kompetente të Shqipërisë dhe Hungarisë.

Formularët e kërkesës për përfitime pensioni në kuadër të Marrëveshjes

Formularët e mëposhtëm përdoren për paraqitjen e kërkesave për pension nga qytetarët, në kuadër të Marrëveshjes për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Hungarisë.

Si funksionon procedura?

  • Kur personi banon në Shqipëri dhe kërkon një përfitim nga Hungaria, kërkesa paraqitet pranë institucionit kompetent në Shqipëri, duke plotësuar formularin përkatës AL/HU dhe deklaratën e punësimit AL/HU 207, sipas rastit.
  • Kur personi banon në Hungari dhe kërkon një përfitim nga Shqipëria, kërkesa paraqitet pranë institucionit kompetent hungarez. Formularët përkatës HU/AL, përfshirë deklaratën e punësimit HU/AL 207, plotësohen dhe përcillen nga institucioni kompetent hungarez tek institucioni kompetent shqiptar.
  • Institucionet kompetente shkëmbejnë informacionin e nevojshëm për verifikimin e periudhave të sigurimit dhe shqyrtimin e të drejtës për përfitim.
  • Periudhat e sigurimit të kryera në Shqipëri dhe Hungari mund të merren në konsideratë së bashku, kur kjo është e nevojshme për plotësimin e kushteve të përfitimit, në përputhje me dispozitat e Marrëveshjes.
  • Secili shtet përcakton dhe paguan pjesën e përfitimit që i takon sipas periudhave të sigurimit të njohura, në përputhje me legjislacionin e vet dhe dispozitat e Marrëveshjes
  • Formularët e komunikimit ndërmjet institucioneve përdoren për shkëmbimin institucional të informacionit dhe nuk janë pjesë e formularëve që qytetari duhet të shkarkojë për paraqitjen e kërkesës.