DUKATI I MADH I LUKSEMBURGUT

Marrëveshja në fushën e mbrojtjes shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut, është ratifikuar me Ligjin nr. 42/2015 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut për mbrojtjen shoqërore”. Procesi i ratifikimit nga Parlamenti Shqiptar i Marrëveshjes dypalëshe, përfundoi më 16 prill 2015.

Kjo Marrëveshje është në fuqi dhe zbatohet nga data 01.07.2016.

Fushat e mbuluara :

Marrëveshja për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut mbulon:

  • pensionet e pleqërisë;
  • pensionet e invaliditetit;
  • pensionet familjare;
  • sigurimin vullnetar të kujdesit shëndetësor, në përputhje me kushtet e përcaktuara në Marrëveshje.
  • sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, për personat e dërguar dhe personat që mbeten subjekt i legjislacionit shqiptar gjatë punësimit në Dukatin e Madh të Luksemburgut

Dokumente :

Institucionet kompetente :

Zbatimi i Marrëveshjes kryhet nga institucionet kompetente të Shqipërisë dhe Luksemburgut, në varësi të llojit të përfitimit.

Në Republikën e Shqipërisë:

  • Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) – për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe familjare;
  • Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) – për përfitimet në natyrë të sigurimit vullnetar të kujdesit shëndetësor, përfitimet në natyrë për personat e dërguar dhe personat që mbeten subjekt i legjislacionit shqiptar gjatë punësimit në Dukatin e Madh të Luksemburgut.

Në Dukatin e Madh të Luksemburgut: Marrëveshja përcakton institucione të ndryshme kompetente në varësi të llojit të pensionit dhe të procedurës përkatëse.

Marrëveshja parashikon përdorimin e formularëve të përbashkët për paraqitjen e kërkesave për pension, verifikimin e periudhave të sigurimit, shkëmbimin e informacionit dhe njoftimin e vendimeve ndërmjet institucioneve kompetente të Shqipërisë dhe Luksemburgut.

Formularët e kërkesës për përfitime pensioni në kuadër të Marrëveshjes :

Formularët e mëposhtëm përdoren për paraqitjen e kërkesave për përfitime nga qytetarët, në kuadër të Marrëveshjes për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut.

Si funksionon procedura ?

  • Kur personi banon në Shqipëri dhe kërkon një përfitim nga Luksemburgu, kërkesa paraqitet pranë ISSH-së në Shqipëri, duke plotësuar formularin përkatës AL/LU 5, AL/LU 7 ose AL/LU 6, sipas llojit të pensionit. Formulari i kërkesës shoqërohet edhe me një deklaratë mbi periudhat e punësimit të aplikantit në Shqipëri dhe Luksemburg.
  • Kur personi banon në Luksemburg dhe kërkon një përfitim nga Shqipëria, kërkesa paraqitet pranë institucionit kompetent në Luksemburg. Përdoret formulari përkatës LU/AL, sipas llojit të pensionit, së bashku me deklaratën mbi periudhat e punësimit, dhe dokumentacioni përcillet nga institucioni kompetent luksemburgas tek ISSH.
  • Institucionet kompetente të Shqipërisë dhe Luksemburgut shkëmbejnë informacionin e nevojshëm për verifikimin e periudhave të sigurimit nëpërmjet formularëve AL/LU 2 dhe LU/AL 2
  • Në rastet e pensioneve të invaliditetit, informacioni mjekësor shkëmbehet nëpërmjet formularëve AL/LU 9 dhe LU/AL 9.
  • Periudhat e sigurimit të kryera në Shqipëri dhe Luksemburg mund të merren në konsideratë së bashku, kur kjo është e nevojshme për plotësimin e kushteve të përfitimit, në përputhje me dispozitat e Marrëveshjes.
  • Secili shtet përcakton dhe paguan pjesën e pensionit që i takon sipas periudhave të sigurimit të njohura, në përputhje me legjislacionin e vet dhe dispozitat e Marrëveshjes.
  • Vendimet dhe informacionet përkatëse ndërmjet institucioneve kompetente shkëmbehen nëpërmjet formularëve AL/LU 8 dhe LU/AL 8.