Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi, është ratifikuar me ligjin 70/2023 “Për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi për Mbrojtjen Shoqërore”.
Kjo Marrëveshje është në fuqi dhe zbatohet nga data 01.06.2025.
Fushat e mbuluara
Marrëveshja për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi, mbulon:
- pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe familjare;
- përfitimet në para për sëmundje;
- përfitimet në para për barrëlindje;
- përfitimet në para për aksidente në punë dhe sëmundje profesionale;
- përfitimet e papunësisë;
- përfitimet në natyrë të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.
Dokumente
- LIGJ NR. 70/2023 “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE MALIT TË ZI PËR SIGURIMET SHOQËRORE”
- MARRËVESHJE ADMINISTRATIVE PËR ZBATIMIN E MARRËVESHJES NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE MALIT TË ZI PËR SIGURIMET SHOQËRORE, nënshkruar në Podgoricë, më 27 shkurt 2023
Institucionet kompetente
Në Shqipëri:
- Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH)– për legjislacionin e sigurimeve shoqërore;
- Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH)–për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.
Në Malin e Zi:
- Fondi për Sigurimet Shëndetësore të Malit të Zi, Podgoricë – për sigurimin shëndetësor;
- Fondi për Sigurimin e Pensionit të Pleqërisë dhe të Invaliditetit të Malit të Zi, Podgoricë – për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe familjare, si dhe për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale;
- Agjencia e Punësimit të Malit të Zi, Podgoricë – për përfitimet e papunësisë.
Formulari i kërkesës për përfitim pensioni në kuadër të Marrëveshjes
Formulari përdoret për paraqitjen e kërkesave për pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar në kuadër të Marrëveshjes.
Si funksionon procedura ?
- Kur personi banon në Shqipëri dhe kërkon një përfitim nga Mali i Zi, kërkesa paraqitet pranë ISSH-së, duke plotësuar formularin AL/ME 3 dhe dokumentacionin përkatës.
- Kur personi banon në Malin e Zi dhe kërkon një përfitim nga Shqipëria, kërkesa paraqitet pranë institucionit kompetent malazez dhe përcillet në ISSH, duke përdorur formularin ME/AL 3, sipas procedurave të përcaktuara në Marrëveshje.
- Institucionet kompetente shkëmbejnë formularët për verifikimin dhe vërtetimin e periudhave të sigurimit, përkatësisht AL/ME 4 dhe ME/AL 4, duke mundësuar marrjen në konsideratë të periudhave të sigurimit të kryera në të dyja shtetet.
- Në rastet e pensioneve të invaliditetit, informacioni mjekësor shkëmbehet nëpërmjet AL/ME 5 dhe ME/AL 5
- Periudhat e sigurimit të kryera në Shqipëri dhe në Malin e Zi mund të merren në konsideratë së bashku, kur kjo është e nevojshme për plotësimin e kushteve të përfitimit, në përputhje me dispozitat e Marrëveshjes.
- Secili shtet përcakton dhe paguan pjesën e përfitimit që i takon sipas periudhave të sigurimit të njohura, në përputhje me legjislacionin e vet dhe dispozitat e Marrëveshjes