REPUBLIKA E AUSTRISË

Marrëveshja në fushën e mbrojtjes shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë, është ratifikuar me Ligjin 14/2018 “Për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë për Mbrojtjen Shoqërore”.

Kjo Marrëveshje është në fuqi dhe zbatohet nga data 01.12.2018.

Fushat e mbuluara

Marrëveshja zbatohet për sigurimin shoqëror të detyrueshëm për:

  • pensionet;
  • aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale;
  • barrëlindjen dhe sëmundjen;
  • sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, për personat e dërguar dhe personat që mbeten subjekt i legjislacionit shqiptar gjatë punësimit në Austri.

Dokumente

Institucionet kompetente

Zbatimi i Marrëveshjes kryhet nga institucionet kompetente të Shqipërisë dhe Austrisë, në varësi të llojit të përfitimit.

Në Republikën e Shqipërisë:

  • Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) – për përfitimet e sigurimeve shoqërore;
  • Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) – për përfitimet e kujdesit shëndetësor, për personat e dërguar dhe personat që mbeten subjekt i legjislacionit të njërit shtet, ndërkohë që ushtrojnë aktivitetin e tyre në shtetin tjetër, sipas kushteve të Marrëveshjes.

Në Republikën e Austrisë:

  • Dachverband der Sozialversicherungsträger (DVSV) – për çështjet përkatëse të sigurimeve shoqërore;
  • Institucionet kompetente të sigurimit shëndetësor (zuständige Träger der Krankenversicherung) – për zbatimin e dispozitave që lidhen me sigurimin shëndetësor, sipas legjislacionit të zbatueshëm.

Marrëveshja parashikon përdorimin e formularëve të përbashkët për paraqitjen e kërkesave për përfitime, verifikimin e periudhave të sigurimit dhe shkëmbimin e informacionit ndërmjet institucioneve kompetente të Shqipërisë dhe Austrisë.

Formulari i kërkesës për përfitim pensioni  në kuadër të Marrëveshjes

Formulari i mëposhtëm përdoret për paraqitjen e kërkesave për përfitime nga qytetarët, në kuadër të Marrëveshjes për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë.

Si funksionon procedura ?

  • Kur personi banon në Shqipëri dhe kërkon një përfitim nga Austria, kërkesa paraqitet pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), duke plotësuar formularin AL/ A 3 për pension pleqërie, invaliditeti ose familjar.
  • Kur personi banon në Austri dhe kërkon një përfitim nga Shqipëria, kërkesa paraqitet pranë institucionit kompetent austriak. Dokumentacioni përcillet nga institucioni kompetent austriak tek ISSH.
  • Institucionet kompetente të Shqipërisë dhe Austrisë shkëmbejnë informacionin e nevojshëm për verifikimin e periudhave të sigurimit nëpërmjet formularëve A/AL 4 dhe AL/A 4.
  • Në rastet e pensioneve të invaliditetit, informacioni mjekësor shkëmbehet nëpërmjet formularëve A/AL 5 dhe AL/A 5.
  • Periudhat e sigurimit të kryera në Shqipëri dhe Austri mund të merren në konsideratë së bashku, kur kjo është e nevojshme për plotësimin e kushteve të përfitimit, në përputhje me dispozitat e Marrëveshjes.
  • Secili shtet përcakton dhe paguan pjesën e përfitimit që i takon sipas periudhave të sigurimit të njohura, në përputhje me legjislacionin e vet dhe dispozitat e Marrëveshjes.
  • Vendimet për pension dhe informacionet përkatëse ndërmjet institucioneve kompetente shkëmbehen nëpërmjet formularëve AL/A 2 dhe A/AL 2.