MBRETËRIA E BELGJIKËS

Marrëveshja bilaterale midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës për mbrojtjen shoqërore, u ratifikua më 3 prill 2014, me ligjin Nr. 35/ 2014 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës për mbrojtjen shoqërore”.

Kjo Marrëveshje është në fuqi dhe zbatohet nga data 01.01.2016.

Fushat e mbuluara

Marrëveshja për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës mbulon:

  • përfitimet në para për sëmundje dhe barrëlindje;
  • përfitimet për aksidente në punë dhe sëmundje profesionale;
  • pensionet e pleqërisë;
  • pensionet e invaliditetit;
  • pensionet familjare;
  • sigurimin shëndetësor dhe kujdesin shëndetësor, në përputhje me fushën e zbatimit të përcaktuar në Marrëveshje.

Marrëveshja zbatohet për legjislacionin përkatës të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të të dyja Palëve dhe, sipas kushteve të përcaktuara në të, edhe për aktet dhe rregulloret që ndryshojnë ose plotësojnë këtë legjislacion

Dokumente

Institucionet kompetente

Zbatimi i Marrëveshjes kryhet nga institucionet kompetente të Shqipërisë dhe Belgjikës, në varësi të llojit të përfitimit.

Në Shqipëri: Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH), për përfitimet e sigurimeve shoqërore, dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), për përfitimet e kujdesit shëndetësor.

Në Belgjikë: Marrëveshja përcakton institucione të ndryshme kompetente, në varësi të llojit të përfitimit, përkatësisht për sigurimin shëndetësor dhe barrëlindjen, invaliditetin, pensionet e pleqërisë dhe familjare, aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale.

Marrëveshja parashikon përdorimin e formularëve të përbashkët për trajtimin e kërkesave për përfitime, verifikimin e periudhave të sigurimit dhe shkëmbimin e informacionit ndërmjet institucioneve kompetente të Shqipërisë dhe Belgjikës.

Formularët e kërkesës për përfitime pensioni në kuadër të Marrëveshjes

Formularët e mëposhtëm përdoren për paraqitjen e kërkesave për përfitime nga qytetarët, në kuadër të Marrëveshjes për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës.

Deklarata mbi periudhat e punësimit, është pjesë e dokumentacionit që shoqëron formularët e kërkesës për pension dhe plotësohet sipas rastit.

Si funksionon procedura?

  • Kur personi banon në Shqipëri dhe kërkon një përfitim nga Belgjika, kërkesa paraqitet pranë ISSH-së në Shqipëri, duke plotësuar formularin përkatës AL/BE 202, AL/BE 203 ose AL/BE 204, sipas llojit të pensionit. Formularët e kërkesës shoqërohen me deklaratën mbi periudhat e punësimit, sipas rastit.
  • Kur personi banon në Belgjikë dhe kërkon një përfitim nga Shqipëria, kërkesa paraqitet pranë institucionit kompetent belg. Formularët përkatës BE/AL, sipas llojit të përfitimit, plotësohen dhe përcillen nga institucioni kompetent belg tek ISSH
  • Deklarata mbi periudhat e punësimit plotësohet nga qytetari dhe përcillet gjithashtu nga institucioni kompetent belg.
  • Institucionet kompetente të Shqipërisë dhe Belgjikës shkëmbejnë informacionin e nevojshëm për verifikimin e periudhave të sigurimit nëpërmjet formularëve AL/BE 205 dhe BE/AL205 dhe informacionin mjekësor në rastet e pensioneve të invaliditetit nëpërmjet formularëve AL/BE 213 &BE/AL213.
  • Në rastet e parashikuara nga Marrëveshja, periudhat e sigurimit të kryera në Shqipëri dhe Belgjikë mund të merren në konsideratë së bashku, kur kjo është e nevojshme për plotësimin e kushteve të përfitimit.
  • Secili shtet përcakton dhe paguan pjesën e përfitimit që i takon sipas periudhave të sigurimit të njohura, në përputhje me legjislacionin e vet dhe dispozitat e Marrëveshjes.
  • Vendimet dhe informacionet përkatëse ndërmjet institucioneve kompetente shkëmbehen nëpërmjet formularëve të komunikimit AL/BE 001 dhe BE/AL 001.