Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare të Kosovës, drejt forcimit të bashkëpunimit në fushën e sigurimeve shoqërore

Sot, më datë 25 shtator 2026, në ambientet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) u zhvillua një takim institucional ndërmjet një delegacioni të Ministrisë së Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zbatimit të Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

Takimi u zhvillua në nivel të lartë drejtues dhe u kryesua nga Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, z. Astrit Hado si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare të Republikës së Kosovës, z. Bujar Sadiku. Në takim morën pjesë gjithashtu tre Zëvendësdrejtorë të Përgjithshëm të ISSH-së dhe drejtues të disa drejtorive të Institutit, ndërsa delegacioni i Kosovës përbëhej nga Drejtoresha e Departamentit të Pensioneve dhe Drejtoresha e Departamentit Ligjor.

Gjatë takimit u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, veçanërisht në drejtim të zbatimit sa më efektiv të Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore, si dhe përmirësimit të shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit në çështjet që lidhen me pensionet dhe sigurimet shoqërore.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua mundësisë së zgjerimit të bashkëpunimit përtej kuadrit të Marrëveshjes, përmes hartimit të një protokolli bashkëpunimi ndërmjet Departamentit të Pensioneve të Ministrisë së Kosovës dhe ISSH-së.

Ky bashkëpunim synon krijimin e mundësive të reja për shkëmbimin e përvojave institucionale dhe praktikave më të mira në fushën e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve, forcimin e bashkëpunimit profesional ndërmjet dy institucioneve, dhënien e asistencës nga ana e ISSH – së për marrëveshjet ndërkombëtare të Kosovës me shtetet e tjera, digjitalizimin e sistemeve të sigurime shoqërore të Kosovës si dhe ndërveprimin e të dhënave midis dy sistemeve.

Takimi konfirmoi vullnetin e përbashkët për të vijuar dhe zgjeruar bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, duke krijuar një bazë më të gjerë për shkëmbimin e informacionit, përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *