1. PENSIONI I PLEQËRISË
Baza ligjore:
Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar (neni 59, 88, 92, 93).
LIGJ nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në RSH” i ndryshuar / korrik 2023
a) pension pleqërie;
b) Shtesë për punë mbi kushte pensioni (neni 33).
PENSIONET E PLEQËRISE
Neni 31
Pension pleqërie
-
Personat e siguruar, që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar në nenin 92, të këtij ligji;
-
Nënat, që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim.
Neni 31/1
Pension pleqërie i reduktuar
Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension të përcaktuar në nenin 92, kur:
-
kanë plotësuar vitet e sigurimit, sipas nenit 92;
-
nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar.
Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë, të këtij neni, është 0,6 për qind në muaj.
Neni 32
Masa e pensionit
-
Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë.
-
Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, sipas nenit 92, shumëzuar me pensionin social;
-
Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, e llogaritur sipas nenit 59, të këtij ligji;
-
Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.