Çfarë është pensioni shtetëror suplementar i punonjësve me tituj shkencorë ?
Është përfitim suplementar që u jepet punonjësve me tituj shkencorë, në shtesë të pensionit të pleqërisë sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Kushtet ligjore për të përfituar pension shtetëror suplementar i punonjësve me tituj shkencorë ?
- të kenë gëzuar titullin shkencor “Profesor”, “Profesor i asociuar”, “Drejtues kërkimesh”, “Mjeshtër kërkimesh”, sipas vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademikë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, si dhe personat me tituj shkencorë “Docent”, “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor”, të cilët i kanë pasur këto tituj para vitit 1994 dhe i kanë përfituar pasi është fituar më parë grada shkencore “Kandidat i shkencave”.
- të kenë gëzuar titullin shkencor “Profesor”, “Drejtues kërkimesh”, “Profesor i asociuar”, “Mjeshtër kërkimesh”, sipas vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademikë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe të kenë derdhur kontribut suplementar, duke qenë në marrëdhënie pune me universitetet, shkollat e larta, Qendrën e Studimeve Albanologjike, Akademinë e Shkencave dhe me të gjitha institucionet e tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë.
- të plotësojnë kriteret për përfitimin e pensionit të pleqërisë, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Si llogaritet pensioni shtetëror suplementar i punonjësve me tituj shkencorë ?
- Masa mujore e pensionit suplementar është 1,3 për qind e pagës referuese për çdo periudhë njëvjeçare të ushtrimit të titullit “Profesor” / “Drejtues kërkimesh” dhe 1,1 për qind e pagës referuese për çdo periudhë njëvjeçare të ushtrimit të titullit “Asistent profesor”/ “Mjeshtër kërkimesh”.
- Masa e pensionit suplementar për çdo periudhë njëvjeçare të ushtrimit të titullit “Docent” dhe të titullit “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor” është 1,1 për qind e pagës referuese. Paga referuese përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave.
- Masa mujore e pensionit suplementar nuk mund të jetë në asnjë rast më e vogël se 6 për qind e pagës referuese.
- Masa mujore e pensionit suplementar fillestar për personat që nuk kanë kontribuar nuk mund të jetë më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë, të përfituar sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
- Masa e pensionit suplementar plus pensionin e pleqërisë nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i masës së pensionit të caktuar sipas nenit 31/1, ose masës së pensionit të caktuar sipas nenit 32 e 33, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Aplikimi
Personi i interesuar, për të përfituar pension shtetëror suplementar, duhet të paraqesë kërkesën për përfitim përmes portalit qeveritar “e-Albania”, duke zgjedhur shërbimin “Aplikim për pension pleqërie, suplementar pilot, suplementar lundrues i nëndetëseve apo suplementar për akademik”.
Dokumentet origjinale dërgohen përmes shërbimit postar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ku personi i interesuar ka vendbanimin.
Baza ligjore:
- Ligj nr. 10139, datë 15.5.2009 “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë” – Shkarko në PDF
- VKM nr. 651, datë 14.09.2016 “Për zbatimin e ligjit nr.10139, datë 15.05.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha Institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë” – Shkarko në PDF


