Sigurimi vullnetar

Çfarë janë dhe pse duhet të paguhen kontributet vullnetare për sigurimet shoqërore?

Kontributet vullnetare për sigurimet shoqërore janë pagesa që mundësojnë plotësimin e historikut kontributiv individual dhe ndikojnë ne plotësimin e kushteve për përfitime nga skema e sigurimeve shoqërore.

Pagesa në kohë e kontributeve vullnetare për sigurimet shoqerore është e rëndësishme, pasi shtyrja e pagesës mund të sjellë ndyshimin e shumës që duhet të paguhet, si rrjedhojë e rritjes së kuotës së aplikueshme.

PAGUAJ NË KOHË KONTRIBUTIN VULLNETAR PËR TË SHMANGUR DETYRIMET FINANCIARE SHTESË QË LINDIN SI PASOJË VETËM E VONESAVE NË PAGESË !

Skema e sigurimit vullnetar, është një mundësi më shumë për të përfituar pension, për të gjithë shtetasit shqiptarë, kudo që ndodhen, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, të cilët kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm dhe mund t’i plotësojnë ato nëpërmjet sigurimit vullnetar.

Në këtë skemë përfshihen të gjithë shtetasit shqiptarë që:

  1. Kanë mbushur moshën 18 vjeç, mund të jenë studentë me kohë të plotë dhe akoma nuk ju ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar;
  2. Janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre;
  3. Nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi.

Kur personi i interesuar ka lënë shtetësinë shqiptare, mund të bëjë sigurim vullnetar vetëm për periudhën nga data 01.10.1993, deri në datën që ka lënë shtetësinë shqiptare.

Çfarë përfitohet nga skema e sigurimit vullnetar?

Çdo person që ka paguar kontribute për sigurim vullnetar, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, (nenet 3, 7, 8, 11 dhe 13) dhe në Rregulloren nr. 4, datë 25.05.2009 “Për sigurimin vullnetar në Institutin e Sigurimeve Shoqërore”, është përfitues, sipas rastit, i:

  • Pensionit të pleqërisë;
  • Pensionit të reduktuar të pleqërisë;
  • Pensionit të plotë të invaliditetit;
  • Pensionit të pjesshëm të invaliditetit;
  • Pensionit familjar.

Mbështetur në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, neni 11 “Kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave dhe paguhet nga personi i siguruar në shumën dhe afatin e përcaktuar në kontratën e sigurimit vullnetar”.

 Cilat fusha mbulohen me sigurim vullnetar?

  1. Sigurim vullnetar për vitin korent;
  2. Sigurim vullnetar për periudha të kaluara;
  3. Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura.

Sigurim vullnetar për vitin korent, mund të paguajnë:

Të gjithë shtetasit shqiptarë, që kanë periudha të pambuluara, kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe nuk ju ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar.

Personat që sigurohen për vitin korent kanë të drejtë të sigurohen deri në kufirin e pagës maksimale.

Masa e kontributit për vitin korent, që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar, është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës minimale të miratuar nga VKM në periudhën kur bëhet pagesa.

Kuota mujore e sigurimit vullnetar aktualisht është 10, 800 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 50,000 lekë x 21.6%.

Për pagesat paradhënie, aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa. Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje:

  • 6% mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit janar);
  • 3% mbi shumën për një pagesë 6-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar);
  • 1,5% mbi shumën për një pagesë 3 mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar).

Sigurim vullnetar për periudha të kaluara, mund të paguajnë:

  • Shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk ju ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar;
  • Shtetasit shqiptarë për periudhën e studimeve universitare, me kusht që personi i siguruar të paguajë kontribut vullnetar, përpara datës së fillimit të së drejtës për përfitime;
  • Shtetasit shqiptarë që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm brenda dhe jashtë vendit, të cilët dëshirojnë t’i plotësojnë ato nëpërmjet sigurimit vullnetar;
  • Personat që kanë lënë shtetësinë shqiptare, për mbulimin e periudhave të kaluara nga data 01.10.1993, deri në datën që kanë lënë shtetësinë.

Masa e kontributit për mbulimin e periudhave të kaluara, përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa (aplikohet masa që është në fuqi në momentin e kryerjes së pagesës, e cila miratohet me VKM, për degën e pensioneve dhe që për llogaritjen e përfitimeve do t’i korrespondojë pagës minimale të vitit që po mbulohet me sigurim vullnetar). Pagesa për të mbuluar periudha të kaluara, bëhet vetëm në kuotën minimale, e cila për vitin aktual është 10,800 lekë në muaj. Në pagesat për periudha të kaluara nuk aplikohen zbritje.

Personat e interesuar, të cilët nuk arrijnë të plotësojnë kushtin minimal të periudhës së sigurimit (15 vite periudhë sigurimi), për të përfituar pension mund të kryejnë pagesa kontributesh edhe pas plotësimit të moshës për pension, por me kusht që ato t’u korrespondojnë periudhave para plotësimit të moshës për pension, duke paguar sipas masës së kontributit të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, për vitin kur kryhet pagesa. 

Shembull: Një person që është në prag të plotësimit të moshës për pension pleqërie, ose e ka plotësuar moshën për t’u futur në kushte përfitimi, minimalisht duhet të ketë 15 vite periudhë kontributive të siguruar. Në rast se personi ka 12 vite periudhë kontributive, ka të drejtë të plotësojë 15 vitet e nevojshme, duke blerë 3 vjet sigurim nëpërmjet skemës vullnetare.

Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura, mund të paguajnë:

  • Të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore;
  • Ky sigurim bëhet vetëm për vitin korent, në kufijtë e pagës minimale 50,000 lekë dhe pagës maksimale 186,416 lekë. Qytetari ka të drejtë të zgjedhë një page brenda këtij kufiri, si shumëfish të pagës minimale.
  • Personat e vetëpunësuar sigurohen me pagë minimale mujore 50,000 lekë

Mbi këtë pagë çdo person ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në kufirin e pagës maksimale, si shumëfish i pagës minimale;

  • Punëmarrësit që sigurohen në bazë të kontratës të nënshkruar me punëdhënësin, kanë të drejtë të sigurohen vullnetarisht për më shumë të ardhura mbi pagën që ata marrin, deri në kufirin e pagës maksimale, si shumëfish i pagës minimale.

Përfitimet nga sigurimi vullnetar për më shumë të ardhura:

Pensione më të larta pleqërie, invaliditeti dhe familjar, sipas kontributit të paguar.

Pagesat e kontributeve të Sigurimit Vullnetar:

Personi i interesuar, paraqitet në DRSSH dhe merr kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar.

Ai duhet të ketë me vete:

  • Fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit;
  • Fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon;
  • Fotokopje të kartës së identitetit ose pasaportës biometrike.

 Inspektori i sigurimit vullnetar, pasi gjykon për plotësimin e kushteve për sigurim vullnetar plotëson dokumentin tip “Urdhër veprim”, i cili pasqyron periudhën që do të mbulohet me kontribute dhe shumën që duhet paguar.

Qytetari me “Urdhrin e veprimit”, paraqitet për të kryer pagesën në zyrën postare ose në zyrën bankare. Me kryerjen e pagesës, zyra postare lëshon dokumentin “Mandat arkëtimi”, ndërsa zyra bankare lëshon dokumentin “Veprim arke”, i cili konfirmon kryerjen e pagesës.

Qytetari, dorëzon një kopje të mandatpagesës për regjistrim tek inspektori i sigurimit vullnetar.

Periudhat e sigurimit të realizuara nëpërmjet skemës së sigurimit vullnetar, pasqyrohen në kohë reale në Regjistrin elektronik të kontribuesve vullnetar. Qytetari mund t’i verifikojë periudhat për të cilat ka paguar kontributet vullnetare dhe të pajiset me vërtetimin përkatës, nëpërmjet portalit zyrtar https://e-albania.al/