Ligji nr. 8097, datë 21.3.1996, i ndryshuar “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”.
Kontributet që paguajnë personat e punësuar në fondin e sigurimit shtetëror suplementar janë:
- 4% të shumës bruto të listëpagesave, për personat e grupit të parë (të përcaktuar në Ligjin nr. 8097, datë 21.3.1996, i ndryshuar);
- 3% të shumës bruto të listëpagesave për personat e grupit të dytë, që permënden në shkronjat “a”, “b”, “c”, të pikës 9, të nenit 1, të këtij Ligji;
- 2% të shumës bruto të listëpagesave për personat e grupit të dytë, ku përfshihen specialistë dhe persona të tjerë në funksion, dhe sipas përcaktimeve të Këshillit të Ministrave.
Ligji nr. 10139, datë 15.05.2009 “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të Universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në RSH, të cilët kanë tituj shkencore”.
Kontributet suplementare në zbatim të këtij Ligji janë:
- 3.5% të pagës bruto mujore për personat me titull, të punësuar në institucione publike;
- 7% të pagës bruto mujore, për personat me titull të punësuar në institucione jopublike, të cilat derdhen në llogaritë e Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore çdo muaj, me të njëjtat rregulla dhe në të njëjtat afate, si edhe sigurimi i detyrueshëm shoqëror.
Pagesat e kontributeve
Punëdhënësi është i detyruar të mbajë nga paga bruto e punëmarrësve kontributin e përcaktuar për këta persona sipas nenit 5, të Ligjit nr. 8097, datë 21.3.1996, dhe ta derdhë atë në llogarinë e fondit të përfitimeve shtetërore suplementare.
Punëdhënësi detyrohet të paraqesë brenda datës 30 të muajit pasardhës:
- listëpagesën e personave që përfitojnë nga ky Ligj;
- pagën bruto;
- shumën e kontributeve të ndaluara.