Baza ligjore:
a) Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
b) Rregullore nr. 1, e ISSH-së, datë 19.10.2009 “Mbi administrimin dhe llogaritjen e pensioneve”.
Kushtet e përfitimit:
a) E veja, kur është:
– Mbajtëse e një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç;
– E paaftë për punë;
– Ka mbushur moshën 55 vjeç.
b) Burri i ve, kur është:
– Mbajtës i një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç;
– I paaftë për punë;
– Ka mbushur moshën 60 vjeç.
c) Jetimi që ishte në ngarkim të personit që vdiq dhe është nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç, nëse studion ose është i paaftë për punë;
d) Prindërit, kur kanë arritur moshën 65 vjeç ose janë të paaftë për punë, prindërit e prindërve, njerku e njerka, kur nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë, nëse provohet se ata jetonin në të njëjtën familje me atë që vdiq, jo më pak se një vit para momentit të vdekjes dhe kanë arritur moshën 65 vjeç, ose janë të paaftë për punë;
e) Nipërit e mbesat, kur janë në ngarkim të atij që vdiq dhe bënin pjesë në të njëjtën familje me të. Në këtë rast ata trajtohen si jetimë;
f) I/e veja humbasin të drejtën për pension familjar kur martohen.
Masa e përfitimit:
Pensioni familjar është pjesë e pensionit që kishte ose i takonte të ndjerit/ës.
a) Personi i/e ve, merr 50% të pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i/e ndieri/a, kur është i/e vetëm dhe për çdo pjestar tjetër merr 25%, me kusht që shuma e pensionit të mos kalojë 100% masën e tij;
b) Kur e veja nuk është pjestare e pensionit familjar, dhe përfitues është vetëm një jetim, masa e pensionit për jetimin është 50% e pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndjeri;
c) Kur e veja nuk është pjestare e pensionit familjar, dhe përfitues janë dy ose më shumë persona, masa e pensionit familjar për secilin prej tyre është 25%, por jo më shumë se 50% e pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndjeri;
d) Shuma e një pensioni familjar nuk duhet të kalojë masën e pensionit që merrte ose do të merrte personi që vdes;
e) Jetimi merr pension familjar edhe nëqoftëse prindi që jeton është i punësuar, është ekonomikisht aktiv ose merr një pension si të drejtë të tij. Në këtë rast masa e pensionit për çdo jetim ose person tjetër që përfiton është 25% e pensionit që i takonte të ndjerit, por jo më tepër se 50% e tij;
f) Jetimi që humbet të dy prindërit merr një pension jetimi për sejcilin prej tyre.
Nga data 1 maj 2022, në zbatim të VKM nr. 252, datë 29.04.2022 “Për procedurat e ofrimit të shërbimeve online nga institucionet shërbimofruese dhe për metodologjinë e monitorimit e të kontrollit të veprimtarisë administrative të ofrimit të tyre”, të gjitha aplikimet për shërbimet që ofron Instituti i Sigurimeve Shoqërore realizohen vetëm online, në platformën e-Albania.
Persa i përket pensionit familjar, aplikimi bëhet në portalin zyrtar https://e-albania.al/, duke zgjedhur sherbimin: “Aplikim për pension familjar”.