Kushtet për t’u siguruar i/e vetëpunësuar në bujqësi
Mbështetur në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në VKM nr. 77, datë 28.01.2015, të ndryshuar, personi që futet në skemën e detyruar të sigurimit shoqëror për t’u siguruar si i/e vetëpunësuar në bujqësi, duhet të plotësojë këto kushte:

  • Të ketë mbushur moshën 16 vjeç;
  • Të jetë i/e aftë për punë;
  • Çdo person mund të sigurohet deri në mbushjen e moshës për pension;
  • Nuk duhet të jetë i siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë.

I/e vetëpunësuari/a në bujqësi duhet:

– Të banojë në të njëjtin rreth ku ka tokën bujqësore në pronësi ose në përdorim, dhe të  zhvillojë veprimtari bujqësore e blegtorale;

– Të banojë në fshat, megjithëse tokën mund ta ketë në rrethin fqinjë.

Dokumentacioni dhe procedurat për t’u siguruar si i/e vetëpunësuar në bujqësi

I/e vetëpunësuari/a në bujqësi paraqet tek inspektori i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi të sigurimeve shoqërore këto dokumenta:

– Çertifikatën familjare të lëshuar nga zyra e gjëndjes civile;

– Vërtetimin e pronësisë mbi tokën, lëshuar nga Zyra e rregjistrimit të pasurisë së paluajtshme prane organeve te pushtetit vendor.

Ose
– Akt noterial, që vërteton tjetërsimin e pronës (p.sh, qiramarrje);

– Në çdo rast, për sigurim të periudhave për vitin korent si dhe për periudha të kaluara, do të paraqitet vërtetimi i lëshuar nga komuna, ku cilësohet se personi ushtron veprimtari, bujqësore/blegtorale.

  • Inspektori i të vetëpunësuarve në bujqësi, pasi gjykon për plotësimin e kushteve për sigurim si i/e vetëpunësuar në bujqësi plotëson dokumentin tip “Urdhër veprim”.
  • Për të bërë pagesën paraqitet ky dokument në zyrën postare ose në zyrën bankare. Me kryerjen e pagesës zyra postare lëshon dokumentin “Mandat arkëtimi”, ndërsa me kryerjen e pagesës në zyrën bankare lëshohet dokumenti “Veprim arke”, i cili konfirmon kryerjen e kësaj pagese.
  • Me dokumentin “Mandat arkëtimi” ose “Veprim arke” personi paraqitet për regjistrim tek inspektori i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi, ku ka marrë “Urdhër veprimin”.
  • Këto dokumenta në asnjë rast nuk duhet t’i dorëzohen punonjësve të sigurimeve shoqërore. Ato janë personale.
  • Në fund të procedurës dhe pas pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore bëhet pajisja e detyrueshme me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
  • Në zonat malore përfshihen të vetëpunësuarit në bujqësi, që banojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë.
  • Në zonat fushore përfshihen të vetëpunësuarit në bujqësi, që banojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në rrethet Berat, Kuçovë, Durrës, Krujë, Elbasan, Peqin, Fier, Lushnjë, Mallakastër, Gjirokastër, Përmet, Korçë, Pogradec, Devoll, Lezhë, Laç, Shkodër, Tiranë, Kavajë, Vlorë, Sarandë dhe Delvinë.

Pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore.

  • Sigurimi si i/e vetëpunësuar në bujqësi është i detyrueshëm.
  • I/e vetëpunësuari/a në bujqësi, që banon në zonat fushore, mbeshtetur ne VKM nr. 653, date 22.07.2015, duke filluar nga data 01.08.2015 e në vazhdim, duhet të derdhë kontributet për sigurimet shoqërore, kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 38, 400 lekësh;
  • I/e vetëpunësuari/a në bujqësi, që banon në zonat malore, mbeshtetur ne VKM nr. 653, date 22.07.2015, nga data 01.01.2015 e në vazhdim, duhet t’i derdhë kontributet për sigurimet shoqërore, kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 29, 400 lekësh;
  • Pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhen bashkarisht. Ato janë të detyrueshme dhe paguhen individualisht një herë në tre muaj.
  • Afati i fundit i këtyre pagesave është jo më vonë se dita e fundit e muajit të tretë, brenda çdo tremujori kalendarik.
  • Për të bërë sigurim për periudha të kaluara, pagesa e kontributeve bëhet kundrejt masave aktuale, mbi të cilën aplikohen dhe kamatëvonesat përkatëse.

Përfitimet që rrjedhin nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore për të vetëpunësuarit në bujqësi.

I/e vetëpunësuari/a në bujqësi, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, është përfitues/e, sipas rastit, i/e:

– Pensionit të pleqërisë;

– Pensionit të invaliditetit;

– Pensionit familjar;

– Të ardhurës për barrëlindje;

– Shpërblimin për lindje fëmije.