Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado, gjatë një konference për shtyp, deklaroi se bonusi do të përfitohet së bashku me këstin mujor të pensionit, sipas datave të përcaktuara.
Janë rreth 704 mijë individë, të cilët do të përfitojnë shpërblimin prej 5,000 lekë, me një efekt financiar në buxhetin e shtetit që llogaritet në rreth 3.5 miliardë lekë.
“Dëshiroj të garantoj të gjithë përfituesit se i gjithë fondi është i miratuar sipas ligjit organik të buxhetit dhe është në dispozicion. Asnjë individ nuk do të humbasë të drejtën e tërheqjes së këtij shpërblimi, pasi ajo ruhet deri në dhjetor të vitit 2024”, tha z. Hado.
Sipas Vendimit të miratuar nga Këshillii Ministrave, të drejtën për shpërblim e kanë edhe personat që aktualisht nuk kanë dalë në pension, por që e drejta për pension ju lind deri në datën 31.12.2023, përfshirë edhe këtë datë.
Z. Hado garantoi se janë marrë të gjitha masat, që si nga ana e Postës Shqiptare sha, ashtu edhe nga bankat e nivelit të dytë, të ndiqen të gjitha procedurat, sipas parashikimeve ligjore për përfitimin e plotë dhe në kohën e duhur të këtij shpërblimi.