Çfarë janë pensionet shtetërore suplementare ?
Janë përfitime suplementare shtetërore që u jepen personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe punonjësve të shtetit, sipas llojeve të renditura më poshtë :
I. Pagesë kalimtare, në zbatim të Ligjit nr. 8097/ 1996, i ndryshuar
Çfarë është “Pagesa Kalimtare” ?
Me termin “pagesë kalimtare” kuptohet pagesa që përfitojnë personat, subjekt i këtij ligji, pas ndërprerjes së funksionit ose kur punësohen në një funksion me pagë më të ulët se paga pararendëse.
Kush e përfiton “Pagesën Kalimtare”?
– Persona të grupit të parë, që përmenden në shkronjën “a” të pikës 8 të nenit 1
– Persona të grupit të parë, që përmenden në shkrojën “b” të pikës 8 të nenit 1
– Personave të grupit të dytë, që përmenden në shkrojën “a” të pikës 9 të nenit 1
Si llogaritet Pagesa Kalimtare ?
Personave të grupit të parë, që përmenden në shkronjën “a” të pikës 8 të nenit 1, pas pas ndërprerjes së funksionit, u jepen tri paga mujore të funksionit dhe pas këtyre pagave marrin 50 për qind të pagës referuese bruto, për aq kohë sa kanë punuar në funksione të tilla, por jo më shumë se 3 vjet nga momenti i largimit nga ky funksion.
Personave të grupit të parë, që përmenden në shkrojën “b” të pikës 8 të nenit 1, pas ndërprerjes së funksionit, u jepen dy paga mujore të funksionit dhe pas këtyre pagave marrin 50 për qind të pagës referuese bruto, për aq kohë sa kanë punuar në funksione të tilla, por jo më shumë se 3 vjet nga momenti i largimit nga ky funksion.
Personave të grupit të dytë, që përmenden në shkrojën “a” të pikës 9 të nenit 1, pas pas ndërprerjes së funksionit, u jepen dy paga mujore të funksionit dhe pas këtyre pagave marrin 40 për qind të pagës referuese bruto, për aq kohë sa kanë punuar në funksione të tilla, por jo më shumë se 1 vit nga momenti i largimit nga ky funksion.
Në rastet kur përfituesi punësohet, brenda periudhës së përfitimit të pagave të funksionit të fundit apo të pagesës kalimtare, masa e pagesës mbi pagën e re është një kompensim deri në nivelin e pagës referuese të funksionit, por në çdo rast ajo nuk mund të jetë më shumë se paga e funksionit të fundit apo pagesa kalimtare e tij.
Në rastet kur gjatë trajtimit me pagesë kalimtare lind e drejta për një përfitim nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore, përfituesi nga ky ligj ka të drejtën e zgjedhjes së njërit prej tyre.
Aplikimi
Personi që plotëson kushtet për të përfituar pagesë kalimtare, duhet të paraqesë kërkesën për përfitim, përmes aplikimit në portalin qeveritar e – Albania, duke zgjedhur shërbimin “Aplikim për pension shtetëror suplementar për personat me funksione kushtetuese”.
Dokumentet origjinale dërgohen përmes shërbimit postar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ku personi i interesuar ka vendbanimin.
II. Pension shtetëror suplementar për personat me funksione kushtetuese (i parakohshëm, në zbatim të Ligjit nr. 8097/ 1996, i ndryshuar).
Çfarë është pensioni suplementar i parakohshëm ?
Pensioni shtetëror suplementar është përfitimi që u jepet personave të grupit të parë sipas këtij ligji, para mbushjes së moshës së daljes në pension pleqerie, të përcaktuar në nenin 92 të ligjit nr. 7703/ 1993, i ndryshuar.
Kushtet ligjore për të përfituar pensionin shtetëror suplementar janë :
1.Të kenë mbushur moshën 60 vjeç ose para kësaj moshe, kur deklarohet invalid i plotë, sipas ligjit për sigurimet shoqërore të detyrueshme. Duke filluar nga data 1.1.2032, mosha e përfitimit rritet me nga 6 muaj për çdo vit, deri në arritjen e moshës 63 vjeç.
2.Të kenë periudha të njohura shërbimi në një nga funksionet e përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 8, të nenit 1.
3.Të kenë ndërprerë veprimtarinë ekonomike.
Si llogaritet pensioni shtetëror suplementar ?
Masa e pensionit shtetëror suplementar është:
a) për Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin, 25 për qind e pagës referuese, edhe nëse periudha e shërbimit është më e vogël se dy vjet, dhe 5 për qind më shumë për çdo vit shërbimi mbi dy vjet;
b) për grupin e parë, përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 8, të nenit 1, përjashtuar personat e përmendur në shkronjën “a”, të këtij neni, 25 për qind e pagës referuese për 2 vjet shërbim dhe 5 për qind më shumë për çdo vit shërbim mbi këta 2 vjet. Kur këta persona nuk plotësojnë periudhën e shërbimit prej dy vjetësh, përfitojnë pension suplementar të reduktuar në masën 1 për qind të pagës referuese për çdo muaj shërbimi;
c) për grupin e parë, përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 8, të nenit 1, 20 për qind e pagës referuese për 2 vjet shërbim dhe 5 për qind më shumë për çdo vit shërbim mbi këta 2 vjet.
Kur këta persona nuk plotësojnë periudhën e shërbimit prej dy vjetësh, përfitojnë pension suplementar të reduktuar, në masën 0,8 për qind të pagës referuese për çdo muaj shërbimi.
Masa e pensionit nuk duhet të jetë më e madhe se:
a) 60 për qind e pagës referuese, për personat e grupit të parë, përcaktuar në shkronjën “a”, të nenit 1;
b) 50 për qind e pagës referuese, për personat e grupit të parë, përcaktuar në shkronjën “b”, të nenit 1.
Aplikimi
Personi që plotëson kushtet për të përfituar pension suplementar shtetëror, duhet të paraqesë kërkesën për përfitim, përmes aplikimit në portalin qeveritar e – Albania, duke zgjedhur shërbimin “Aplikim për pension shtetëror suplementar për personat me funksione kushtetuese”.
Dokumentet origjinale dërgohen përmes shërbimit postar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ku personi i interesuar ka vendbanimin.
III. Pension suplementar shtetëror, në zbatim të Ligjit nr. 8097/1996, i ndryshuar.
Çfarë është pensioni shtetëror suplementar ?
Pensioni shtetëror suplementar është përfitimi që u jepet personave të grupit të parë dhe grupit të dytë sipas këtij ligji, pas mbushjes së moshës së daljes në pension pleqërie, të përcaktuar në nenin 92 të ligjit nr. 7703/ 1993, i ndryshuar.
Kushtet ligjore për të përfituar pensionin shtetëror suplementar janë:
– Të kenë arritur moshën për pension pleqërie, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar
– Të kenë periudha të njohura shërbimi në një nga funksionet e përcaktuara në grupin e parë sipas shkronjave “a” dhe “b” si dhe në grupin e dytë sipas shkronjave “a”, “b”, “c” dhe ‘d”.
– Të kenë ndërprerë veprimtarinë ekonomike.
Si llogaritet pensioni shtetëror suplementar?
Masa e pensionit shtetëror suplementar për personat e grupit të parë është:
a) për Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin, 25 për qind e pagës referuese, edhe nëse periudha e shërbimit është më e vogël se dy vjet, dhe 5 për qind më shumë për çdo vit shërbimi mbi dy vjet;
b) për grupin e parë, përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 8, të nenit 1, përjashtuar personat e përmendur në shkronjën “a”, të këtij neni, 25 për qind e pagës referuese për 2 vjet shërbim dhe 5 për qind më shumë për çdo vit shërbim mbi këta 2 vjet. Kur këta persona nuk plotësojnë periudhën e shërbimit prej dy vjetësh, përfitojnë pension suplementar të reduktuar në masën 1 për qind të pagës referuese për çdo muaj shërbimi;
c) për grupin e parë, përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 8, të nenit 1, 20 për qind e pagës referuese për 2 vjet shërbim dhe 5 për qind më shumë për çdo vit shërbim mbi këta 2 vjet.
Kur këta persona nuk plotësojnë periudhën e shërbimit prej dy vjetësh, përfitojnë pension suplementar të reduktuar, në masën 0,8 për qind të pagës referuese për çdo muaj shërbimi.
Masa e pensionit nuk duhet të jetë më e madhe se:
a) 60 për qind e pagës referuese, për personat e grupit të parë, përcaktuar në shkronjën “a”, të nenit 1;
b) 50 për qind e pagës referuese, për personat e grupit të parë, përcaktuar në shkronjën “b”, të nenit 1.
Masa e pensionit shtetëror suplementar për personat e grupit të dytë është:
a) për personat e grupit të dytë, sipas shkronjës “a”, të pikës 9, të nenit 1, të këtij ligji, 1,5 për qind në vit të pagës referuese, për çdo vit shërbimi;
b) për personelin drejtues të grupit të dytë, sipas shkronjave “b” dhe “c”, të pikës 9, të nenit 1, të këtij ligji,1,3 për qind në vit të pagës referuese, për çdo vit shërbimi;
c) për personelin specialist të grupit të dytë, sipas shkronjës “d”, të pikës 9, të nenit 1, të këtij ligji, 1,1 për qind në vit e pagës referuese, për çdo vit shërbimi.
Pensioni shtetëror suplementar maksimal, sipas këtij neni, nuk duhet të jetë më i madh se 40 për qind e pagës referuese.
Masa e pensionit shtetëror suplementar, plus pensionin e përfituar nga ligji nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Shqipërisë”, të ndryshuar, nuk mund të jetë më e madhe se 75 për qind e pagës referuese të funksionit.
Aplikimi
Personi që plotëson kushtet për të përfituar pension shtetëror suplementar, duhet të paraqesë kërkesën për përfitim, përmes aplikimit në portalin qeveritar e – Albania, duke zgjedhur shërbimin “Aplikim për pension pleqërie, suplementar pilot, suplementar lundrues i nëndetëseve apo suplementar për akademik”.
Dokumentet origjinale dërgohen përmes shërbimit postar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ku personi i interesuar ka vendbanimin.
IV. Pension shtetëror suplementar familjar
Çfarë është pensioni shtetëror suplementar familjar ?
Pensioni shtetëror suplementar familjar është një përfitim financiar që i jepet personave në ngarkim të një personi që ka ndërruar jetë, që përfitonte ose kishte kushtet për pension shtetëror suplementar sipas këtij ligji.
Kush përfiton pensionin shtetëror suplementar familjar :
Përfitojnë pension shtetëror suplementar familjar :
- bashkëshorti pasjetues,
- jetimi
dhe kur kanë plotësuar kushtet për pension familjar sipas ligjit për sigurimet shoqërore.
Si llogaritet pensioni shtetëror suplementar ?
Masa e pensionit në kushtet e nenit 12 është:
a) 50 për qind për bashkëshortin pasjetues dhe
b) 25 për qind për jetimin.
Kur nuk merret pensioni i parashikuar në shkronjën “a” të këtij neni, masa e pensionit për jetimin është vetëm 50 për qind.
Në çdo rast masa e pensionit suplementar familjar nuk mund të jetë më e lartë se pensioni suplementar që kishte ose i takonte të përfitonte mbajtësi i familjes.
Aplikimi
Personi i interesuar për të përfituar pension shtetëror suplementar familjar, duhet të paraqesë kërkesën për përfitim, përmes aplikimit në portalin qeveritar e – Albania, duke zgjedhur shërbimin “Aplikim për pension familjar”.
Dokumentet origjinale dërgohen përmes shërbimit postar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ku personi i interesuar ka vendbanimin.
V. Pension suplementar shtetëror invaliditeti.
Çfarë është pensioni shtetëror suplementar i invaliditetit ?
Është një përfitim financiar që i jepet një personi të siguruar, kur ai/ ajo nuk mund të punojë më për shkak të një sëmundje, aksidenti në punë apo sëmundje profesionale dhe ka ushtruar funksione apo detyra në zbatim të këtij ligji.
Pensionin shtetëror suplementar të invaliditetit e përfitojnë personat e grupit të parë dhe grupit të dytë sipas këtij ligji, kur deklarohen invalidë të plotë, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Kushtet ligjore për të përfituar pensionin shtetëror suplementar invaliditeti janë:
- Të deklarohet invalid i plotë, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
- Të ketë periudha të njohura shërbimi në një nga funksionet e përcaktuara në grupin e parë sipas shkronjave “a” dhe “b” si dhe në grupin e dytë sipas shkronjave “a”, “b”, “c” dhe ‘d”.
- Të ketë ndërprerë veprimtarinë ekonomike.
Si llogaritet pensioni shtetëror suplementar i invaliditetit ?
Pensioni shtetëror suplementar invaliditeti llogaritet si pensioni shtetëror suplementar i pleqërisë.
Personat që aksidentohen në shërbim dhe deklarohen invalidë të përhershëm, sipas ligjit për sigurimet shoqërore, përfitojnë pension shtetëror suplementar në masën 40 për qind të pagës referuese, pavarësisht nga koha e punës në funksionet a detyrat sipas përkufizimeve të nenit 1.
Kushtet e përfitimit për grupin e parë :
1. Të kenë mbushur moshën 60 vjeç ose para kësaj moshe, kur deklarohet invalid i plotë, sipas ligjit për sigurimet shoqërore të detyrueshme. Duke filluar nga data 1.1.2032, mosha e përfitimit rritet me nga 6 muaj për çdo vit, deri në arritjen e moshës 63 vjeç.
2. Të kenë periudha të njohura shërbimi në një nga funksionet e përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 8, të nenit 1.
3. Të kenë ndërprerë veprimtarinë ekonomike.
Kushtet e përfitimit për grupin e dytë :
1. Të kenë kryer 35 vite shërbimi në detyrat ose funksionet e parashikuara nga ky ligj;ose
2. Të kenë arritur moshën për pension pleqërie, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; ose
3. Para kësaj moshe, kur deklarohet invalid i plotë, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Personat, të cilët plotësojnë njërin nga kushtet e sipërpërmendura, duhet të kenë ndërprerë veprimtarinë ekonomike.
Aplikimi
Personi i interesuar për të përfituar pension shtetëror suplementar invaliditeti, duhet të paraqesë kërkesën për përfitim, përmes aplikimit në portalin qeveritar e – Albania, duke zgjedhur shërbimin “Aplikim për pension invaliditeti”.
Dokumentet origjinale dërgohen përmes shërbimit postar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ku personi i interesuar ka vendbanimin.
Baza ligjore :
- Ligj nr. 8097, datë 21.03.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, i ndryshuar – Shkarko në PDF
- VKM nr .548, datë 27.7.2016, “Për miratimin e kritereve, rregullave dhe të procedurave për përfitimin e pensioneve shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, e ndryshuar – Shkarko në PDF