Çfarë duhet bërë për të filluar një biznes të ri ?

Përpara fillimit të veprimtarisë ekonomike dhe për efekt të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, fillimisht, ju duhet të regjistroheni në Qendrën Kombëtare të Biznesit (ish QKB).)

I vetëpunësuari, dy ditë pas regjistrimit në QKB, duhet të dorëzojë në organin tatimor listën e punonjësve të papaguar të familjes, me të cilët punon e bashkëjeton, formularin E-SIG 027/a “Pasqyra e të punësuarve për herë të parë, atyre rishtazi, si dhe e të larguarve nga puna”.

Baza Ligjore

Baza ligjore mbi të cilën paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të vetëpunësuarit:

Çfarë janë dhe pse duhet të paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore ?

Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore janë pagesa të detyrueshme, për të gjithë personat ekonomikisht aktivë, ku përfshihen edhe të vetëpunësuarit.

Duke paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore ju jeni i siguruar për të përfituar nga Ligji i Sigurimeve Shoqërore dhe nga Ligji i Sigurimeve Shëndetësore.

Nga pjesëmarrja në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore përfitohen të gjitha llojet e pensioneve:

  • Pension pleqërie;
  • Pension pleqërie i reduktuar;
  • Pension familjar;
  • Pension invaliditeti;
  • Pension i pjesshëm invaliditeti;
  • Shërbim shëndetësor dhe rimbursim ilaçesh.

Kush quhet “ Punëdhënës” ?

“Punëdhënës” quhen të gjithë personat fizikë e juridikë, që punësojnë persona të tjerë në përputhje me Kodin e Punës.

Kush quhet “Person i  Vetëpunësuar” ?

Person i Vetëpunësuar është personi i cili ushtron aktivitet ekonomik dhe siguron të ardhura  të rregullta nga veprimtaria ekonomike.

Cilat janë detyrimet e punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit ?

Punëdhënësi dhe i vetëpunësuari janë të detyruar:

  1. a) të regjistrojnë në regjistrin vjetor të gjithë të punësuarit;
  2. b) të njoftojnë në organet tatimore për ndryshimet dhe lëvizjen e punonjësve, sipas procedurave të përcaktuara me Ligj;
  3. c) të bëjnë sigurimin nga dita e parë, kur i punësuari fillon punë;

ç) të dorëzojnë në organet tatimore dokumentacionin, ku evidentohen paga dhe kontributi për çdo të punësuar, sipas formatit dhe afateve të përcaktuara me Ligj.

Në mbështetje të Kodit të Punës punëdhënësi është i detyruar të nënshkruajë një kontratë pune me punëmarrësit, me kohë të plotë ose të pjesëshme;

  • Punëdhënësi duhet të mbajë regjistra për periudhën e marrëdhënieve të punës dhe shumat e paguara për çdo punëmarrës, me kohë të plotë ose të pjesëshme;
  • Të bëjë sigurimin e çdo punëmarrësi, me kohë të plotë ose të pjesëshme, duke filluar nga data e fillimit të punës, sipas përcaktimit në kontratën e punës ose në aktin e emërimit;
  • Të bëjë llogaritjen, deklarimin dhe pagesën e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, brenda afateve të përcaktuara për çdo punëmarrës.

Rregullat e lëvizjes së informacionit dhe të dokumentacionit ndërmjet punëdhënësit, strukturave

tatimore dhe strukturave të sigurimeve shoqërore përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Punëdhënësi përgjigjet për punësimin dhe riaftësimin profesional të invalidëve, që janë të aftë për punë në kushte të veçanta, sipas rekomandimit të organit kompetent (KMCAP), dhe që caktohen nga zyrat e punës. Rregullat përcaktohen me ligj të veçantë.

Mbi ç’pagë duhet të llogariten kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për çdo punëmarrës?

Paga minimale mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore aktualisht është 40,000 lekë, dhe paga maksimale pёr efekt tё kontributeve shoqёrore indeksohet nё tё njёjtёn kohё dhe nё atё masё qё indeksohet edhe paga minimale nё shkallё vendi.

  • Pagesa e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore kryhet nga punëdhënësi, sipas afateve të përcaktuara me ligj.
  • Punëdhënësi ka detyrim ligjor për llogaritjen, deklarimin dhe pagesën e kontributeve në kohën dhe masën e duhur.

Listëpagesa është një deklaratë e subjektit, në të cilën evidentohen kontributet individuale, dhe si e tillë, në mbështetje të Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” tatimpaguesi që nuk lëshon deklaratën tatimore në afat dënohet me gjobë me 10 000 lekë, për çdo deklaratë tatimore.

  • Punëdhënësi, i cili nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së kontributeve të papaguara, detyrohet të paguajë edhe një gjobë  10 000 lekë për çdo rast.
  • Punëdhënësi duhet të dorëzojë në formë elektronike deklaratën “Listëpagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi” dhe të paguajë rregullisht sipas afateve të caktuar të gjitha detyrimet për kontributet.

Në këtë kuptim, çdo tatimpagues, punëdhënës, pavarësisht nga pamundësia e tij financiare për të paguar të gjitha detyrimet për kontributet, është i detyruar që brenda afateve të caktuara, të paguajë tërësisht pjesën e detyrimeve për kontributet që mbahen nga paga e punëmarrësve.

  • Listëpagesa është dokumenti bazë për dhënien dhe llogaritjen e përfitimeve për çdo punonjës, si dhe vërtetimeve të kërkuara prej tyre.

Si bëhet llogaritja e kontributeve për të vetëpunësuarit dhe për punonjësit e papaguar të familjes?

  • Në mbështetje të ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, personi fizik, për vete, me dëshirën e tij, kontributet e sigurimeve shoqërore mund t’i llogarisë e paguajë mbi bazën e një page edhe më të madhe nga paga minimale në shkallë vendi deri në kufirin e pagës maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore të punëmarrësit.
  • Të vetëpunësuarit dhe personat e papaguar të familjes që ushtrojnë veprimtari ekonomike, sigurohen në mënyrë të detyrueshme për barrëlindje, pensione dhe sigurim shëndetësor;
  • Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për personat fizikë, llogariten me përqindje mbi pagën mujore minimale në shkallë vendi.
  • Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vete dhe për punonjësit e papaguar të familjes, mbi 16 vjec, që punojnë e jetojnë ligjërisht, llogariten mbi bazën e pagës mujore minimale, e cila është 40, 000 lekë në muaj;
  • Për kontributet e sigurimeve shoqërore ju paguani 23% të pagës minimale mujore prej 40,000 lekë;
  • Për kontributet e sigurimeve shëndetësore ju paguani 3,4% të dyfishit të pagës minimale mujore prej 40,000 lekësh.

Si bëhet llogaritja e kontributeve për të punësuarit?

Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për personat e punësuar në subjektet juridike apo fizike llogariten mbi bazën e pagës bruto mujore brenda kufirit të pagës minimale në shkallë vendi dhe kufirit të pagës maksimale për efekt të llogaritjes të kontributeve të sigurimeve shoqërore të miratuara me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave.

Kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore ndahen në përqindje mbi pagën bruto mujore, sipas degëve të sigurimit:

– Sëmundjeve (paaftësi e përkohshme),

– Barrëlindjeve,

– Pensioneve,

– Aksidenteve dhe sëmundjeve profesionale,

– papunësisë.

Për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një të punësuar paguhen 27.9% të pagës bruto mujore.

Cilat janë afatet e pagesës së  kontributeve?

  • Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore paguhen çdo tremujor, brenda datës 20 të muajit të parë, pas përfundimit të çdo tremujori kalendarik. Pra jo më vonë se datat: 20 Prill, 20 Korrik, 20 Tetor, 20 Janar.
  • Kujdes, nëse kontributet nuk paguhen në kohë, zbatohen penalitete.

Ku dhe si mund të paguhen kontributet ?

  • Ju mund t’i paguani kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në filialet e bankave të nivelit të dytë ose të postës shqiptare sha;

Pas pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore ju dhe pjestarët e familjes me të cilët ju punoni do të pajiseni nga  Agjencia e Sigurimeve Shoqërore me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore“Punëdhënës” quhen të gjithë personat fizikë e juridikë, që punësojnë persona të tjerë me ose pa kontratë.

Çfarë përfitohet si i vetëpunësuar nga pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore ?

Të vetëpunësuarit me statusin e personit fizik, nga pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore përfitojnë për degën e barrëlindjes, pensioneve dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor.

Personat e vetëpunësuar si shitës ambulantë, nga pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore përfitojnë vetëm për degën e pensioneve dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor

Nga pjesëmarrja në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore “I Vetëpunësuari” përfiton këto lloje të pensioneve:

  • Pension pleqërie;
  • Pension pleqërie i reduktuar;
  • Pension familjar;
  • Pension invaliditeti;
  • Pension i pjesshëm invaliditeti;
  • Shërbim shëndetësor dhe rimbursim ilaçesh.

Si duhen trajtuar përfitimet afatshkurtra ?

  • Mbështetur në Ligjin për sigurimet shoqërore, punëdhënësit duhet të llogarisin dhe të paguajnë për punëmarrësit e tyre përfitimet afatshkurtra, si për sëmundje ashtu edhe për barrëlindje;

Kur punëmarrësi është i sëmurë ose përkujdeset për fëmijën e sëmurë, që ka në ngarkim, të vërtetuar me raporte mjekesore, kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore deri në ditën e 14 me raport mjekësor deklarohen njëlloj sikur punëmarrësi të mos jetë i sëmurë dhe paguhen sipas përcaktimit në Kodin e Punës.

Kur punëmarrësi vazhdon me raportit mjekësor pa ndërprerje mbi 14 ditë, i siguruar ka të drejtë të marrë përfitime për paaftësi të përkohëshme nga fondet e sigurimeve shoqërore, të cilat llogariten nga punëdhënësi në formularim përkatës dhe dërgohen për konfirmim dhe pages në organet e sigurimeve shoqërore në rrethe. Shuma e pagesës së llogaritur për paaftësinë e përkoshme në punë për çdo punëmarrës, kalon në llogarinë personale të personit pranë bankës të nivelit të dytë për kryerjen e pagesës në lekë.

 Cilat janë afatet e pagesës së  kontributeve ?

  • Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore paguhen çdo tremujor, brenda datës 20 të muajit të parë, pas përfundimit të çdo tremujori kalendarik. Pra jo më vonë se datat: 20 Prill, 20 Korrik, 20 Tetor, 20 Janar.
  • Kujdes, nëse kontributet nuk paguhen në kohë, zbatohen penalitete.