Në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në datat 12-14 mars 2024, u zhvillua raundi i dytë i negociatave mes Shqipërisë dhe Serbisë, në fushën e sigurimeve shoqërore.

Këto negociata u zhvilluan në frymën e plotë të bashkëpunimit dhe në aspektin teknik u drejtuan nga Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore z. Astrit Hado dhe stafi teknik.

Në përfundim të tyre, palët parafirmosën Marrëveshjen Kuadër. Për palën shqiptare kjo marrëveshje u parafirmos nga Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, znj.Olta Manjani, ndërsa për palën serbe nga përfaqësuesi i Ministrisë së Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale z. Zoran Milosevic.

Marrëveshja ju siguron qytetarëve shqiptarë një sërë përfitimesh, si: pensionin e pleqërisë, përfitimet e barrëlindjes, pensionin familjar, atë të invaliditetit etj.

Ajo gjithashtu siguron bashkimin e periudhave kontributive, duke bërë që qytetarët të mos humbasin vitet e tyre të punës.

Me përfundimin e të gjithë procedurave teknike, përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi, Marrëveshja do të ratifikohet nga parlamentet e të dy vendeve tona.