Forumi Rajonal për Mbrojtjen Shoqërore për Europën, që po zhvillohet në Porto të Portugalisë, vlerësoi Institutin e Sigurimeve Shoqërore me katër “Certifikata Merite” për ofrimin e shërbimeve online.

Në ceremoninë e posaçme, ku mori pjesë Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, z. Astrit Hado, programi për mbrojtjen e veçantë për gratë e papuna me tre apo më shumë fëmijë të mitur, për të cilat shteti mbulon kontributet e sigurimeve shoqërore u vlerësua me çmimin “Certifikatë e Meritës me Përmendje të Veçantë” nga Komisioni Teknik i ISSA-s dhe Juria e pavarur ndërkombëtare e Konkursit “ISSA Good Practice Award  Europe 2024”.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore u vlerësua gjithashtu me “Certifikata Merite” edhe për 3 praktika:

  • Dixhitalizimi i arkivës së sigurimeve shoqërore;
  • Përmirësimi i përfitimeve të sigurimeve shoqërore, nëpërmjet raporteve elektronike mjekësore ( e-Raporte);
  • Si dhe për të gjitha shërbimet e tjera të ofruara online.

Shqipëria arriti të dallonte me shërbimet e saj në garën mes 40 institucioneve të sigurimeve mes 26 shteteve, pjesë e Rrjetit Europian të ISSA-s dhe 119 praktikave.

Qëllimi i këtij konkursi ishte prezantimi dhe vlerësimi i institucioneve që kanë në fokus përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Shqipëria, tashmë renditet mes atyre vendeve që me efikasitet po zbaton një reformë të plotë digjitalizimi dhe për të cilën edhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore po punon me profesionalizëm në rritjen e mëtejshme të cilësisë dhe arritjen e standardeve europiane.