Skema e sigurimit vullnetar, është një mundësi më shumë për të përfituar pension, për të gjithë shtetasit shqiptarë, kudo që ndodhen, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj.
Në këtë skemë përfshihen të gjithë shtetasit shqiptarë që:
- Kanë mbushur moshën 18 vjeç, mund të jenë studentë me kohë të plotë, dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar;
- Janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre;
- Nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi;
Kur personi i interesuar ka lënë shtetësinë shqiptare, mund të bëjë sigurim vullnetar vetëm për periudhën nga 01.01.1994 deri në datën që ka lënë shtetësinë shqiptare.
Çfarë përfitohet nga skema e sigurimit vullnetar?
Çdo person që ka paguar kontribute për sigurim vullnetar, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, (nenet 3,7,8,11 dhe 13) dhe në Rregulloren Nr. 4, datë 25.05.2009 është përfitues, sipas rastit, i:
- Pensionit të pleqërisë;
- Pensionit të reduktuar të pleqërisë;
- Pensionit të plotë të invaliditetit;
- Pensionit të pjesshëm të invaliditetit;
- Pensionit familjar.
Mbështetur në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, neni 7, “Kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave dhe paguhet nga personi i siguruar në shumën dhe afatin e përcaktuar në kontratën e sigurimit vullnetar”.
Cilat fusha mbulohen me sigurim vullnetar?
- Sigurim vullnetar për vitin korent;
- Sigurim vullnetar për periudha të kaluara.
- Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura.
Personat që sigurohen për vitin korent kanë të drejtë të të sigurohen deri në kufirin e pages maksimale.
Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar, është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës minimale të miratuar nga VKM në periudhën kur bëhet pagesa.
Kuota mujore e sigurimit vullnetar aktualisht është 8,640 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 40,000 lekë x 21.6%.
Për pagesat paradhënie, aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa. Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje:
- 6% mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit janar);
- 3% mbi shumën për një pagesë 6-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar);
- 1,5% mbi shumën për një pagesë 3 mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar).
Sigurim vullnetar për periudha të kaluara mund të paguajnë:
- Shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar;
- Shtetasit shqiptarë meshkuj për periudhën e studimeve universitare, me kusht që personi i siguruar të paguajë kontribut për këtë periudhë, përpara datës së fillimit të së drejtës për të ardhura;
- Shtetasit shqiptarë që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm brenda dhe jashtë vendit, të cilët dëshirojnë t’i plotësojnë ato nëpërmjet sigurimit vullnetar;
- Personat që kanë lënë shtetësinë shqiptare, për mbulimin e periudhave të kaluara nga data 01.01.1994, deri në datën që kanë lënë shtetësinë.
Masa e kontributit për sigurim vullnetar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa (aplikohet masa që është në fuqi në momentin e kryerjes së pagesës, e cila miratohet me VKM, për degën e pensioneve dhe që për llogaritjen e përfitimeve do t’i korrespondojë pagës minimale të vitit që po mbulohet me sigurim vullnetar). Pagesa për të mbuluar periudha të kaluara, bëhet vetëm në kuotën minimale, e cila për vitin aktual është 8,640 lekë në muaj. Në këto pagesa nuk aplikohen zbritje.
Shembull: Një person që është në prag të mbushjes së moshës për pension pleqërie, ose e ka mbushur moshën për t’u futur në kushte përfitimi, minimalisht duhet të ketë 15 vite periudhë kontributive të siguruar. Në rast se personi ka 12 vite periudhë kontributive, ka të drejtë të plotësojë 15 vitet e nevojshme duke blerë 3 vjet sigurim nëpërmjet skemës vullnetare.
Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura mund të paguajnë:
- Të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore;
- Ky sigurim bëhet vetëm për vitin korent, në kufijtë e pagave minimale 40,000 lekë deri në 4-fishin e saj (qytetari ka të drejtë të zgjedhë një pagë brenda këtij kufiri);
- Personat e vetëpunësuar sigurohen me pagë minimale mujore 40,000 lekë. Mbi këtë pagë çdo person ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në 4-fishin e saj;
- Punëmarrësit që sigurohen në bazë të kontratës të nënshkruar me punëdhënësin, kanë të drejtë të sigurohen vullnetarisht për më shumë të ardhura mbi pagën që ata marrin, deri në 4-fishin e saj;
Përfitimet nga sigurimi vullnetar për më shumë të ardhura:
Pensione më të larta pleqërie, invaliditeti dhe familjar, sipas kontributit të paguar.
Si paguhet sigurimi vullnetar:
Personi i interesuar, paraqitet në DRSSH dhe merr kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar.
Ai duhet të ketë me vehte:
- Fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit;
- Fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon;
- Fotokopje të kartës së identitetit ose pasaportës biometrike.
Periudhat e siguruara pasqyrohen në Regjistrin elektonik të kontribuesve të sigurimit vullnetar, dhe qytetari ka mundësi t’i shohë dhe të pajiset me vërtetim për periudhat e siguruara nëpërmjet portalit zyrtar https://e-albania.al/