Pensioni i posaçëm shtetëror është një shtesë që jepet me Vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave.
Baza ligjore:
- Neni 5, i Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
- VKM NR. 429, DATË 12.9.2002 “PËR KUSHTET E PËRFITIMIT, SHUMËN DHE PROCEDURËN E DHËNIES SË PENSIONEVE TË POSAÇME SHTETËRORE DHE TË SHTESAVE TË PENSIONEVE TË POSAÇME SHTETËRORE”.
Kushtet e përfitimit:
Pensionin e posaçëm shtetëror e përfitojnë ata persona që:
- Kanë marrë pjesë në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, në lëvizjet popullore, në Luftën kundër pushtuesve nazifashistë brënda dhe jashtë Shqipërisë, në mbrojtjen e kufirit dhe ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë, në lëvizjen demokratike dhe që kanë merita të veçanta;
- Kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e shkencës, kulturës, arteve, ekonomisë dhe politikës;
- Kanë vuajtur nga persekutimi politik nën rregjimin komunist.
Kërkesa, propozimi për përfitimin ose shtesën e pensionit të posaçëm shtetëror bëhet nga:
- Personi i interesuar, nëpërmjet Këshillit të Qarkut të vendbanimit të personit;
- Organizatat ose shoqatat, nëpërmjet Këshillit të Qarkut të vendbanimit të personit;
- Titullarët e Ministrive, ku punon përfituesi përkatës;
- Kryeministri;
- Kryetari i Kuvendit;
- Presidenti i Republikës.
Masa e përfitimit:
- Pensionin e posaçëm shtetëror e përfitojnë personat e sipërpërmendur si shtesë mbi pensionin që iu takon nga sigurimet shoqërore, ose si pension nëse nuk përfitojnë pension nga sigurimet shoqërore;
- Pensioni i posaçëm shtetëror nuk mund të jetë më i ulët se pensioni bazë dhe as më i lartë se dyfishi i pensionit bazë, të miratuar në momentin e lindjes të së drejtës;
- Shtesa e pensionit të posaçëm shtetëror mund të jetë deri në kufirin maksimal, me kusht që shuma e pensionit që i takon nga Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” me këtë shtesë të mos kalojë dyfishin e pensionit maksimal.