Shkëmbimi i eksperiencës lidhur me shërbimin ndaj paaftësisë në punë dhe invaliditetit, ka qenë në qendër të takimit të zhvilluar sot mes drejtuesve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Divizionit të Komisioneve Mjekësore të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, znj. Vjollca Braho, pasi bëri një paraqitje të llojeve të shërbimeve lidhur me Komisionet Mjekësore të Caktimit të Aftësisë për Punë në Drejtoritë Rajonale dhe ISSH, theksoi se, shërbimi për këtë kategori ka qenë i veçantë dhe është kërkuar një bashkëpunim shumë i ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë, që gjithkush të marrë atë që i takon. “Jemi vetëm disa ditë pasi është bërë betimi i ekipit të mjekëve që do të mbulojë të gjitha komisionimet, sipas Vendimit të fundit të Qeverisë, që ka emëruar ekspertët për të gjitha diagnozat”, tha Braho.
Ndërkaq, Udhëheqësi i Divizonit të Komisioneve Mjekësore në MPMSK, Xhevat Pllana, duke e konsideruar ende si një sfidë të pambyllur çështjen e komisionimit të invaliditetit në Kosovë, tha se, ky shkëmbim eksperiencash do t’i shërbejë rritjes së mëtejshme të bashkëpunimit mes institucioneve në Kosovë dhe Shqipëri.
Diskutimet mes ekspertëve të KMCAP-it në ISSH dhe ekspertëve të Divizionit të Komisioneve Mjekësore në MPMSK kanë nxjerrë në pah fusha bashkëpunimi që do t’i shërbejnë në të ardhmen konkretizimit të marrëveshjes për njohjen e periudhave kontributeve dhe përfitimeve.