Seminari Teknik i Rrjetit Evropian të ISSA-s në Tiranë
Sot, më datë 16 shtator, nisi punimet në Tiranë, Seminari Teknik i Rrjetit Evropian të ISSA-s, me temë “Forcimi i shërbimeve në skemat e pensioneve – Përmbushja e nevojave të personave të moshuar”, organizuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH), në bashkëpunim me Shoqatën Ndërkombëtare të Sigurimeve Shoqërore (ISSA).
Në aktivitet morën pjesë drejtues dhe përfaqësues të institucioneve të sigurimeve shoqërore nga 20 vende evropiane, të cilët ndanë përvoja dhe praktika lidhur me modernizimin e shërbimeve, digjitalizimin dhe përshtatjen e skemave të pensioneve me nevojat në ndryshim të qytetarëve.
Dita e parë e punimeve
Në ditën e parë të seminarit, diskutimet u përqendruan në forcimin dhe modernizimin e shërbimeve në skemat e pensioneve, me fokus të veçantë te përmbushja e nevojave të personave të moshuar.
Sekretari i Përgjithshëm i ISSA-s, z. Marcelo Abi-Ramia Caetano, dhe Presidenti i Rrjetit Evropian të ISSA-s, z. Yunus Elitaş, vlerësuan ISSH-në për mikpritjen dhe organizimin e aktivitetit, si dhe Shqipërinë për hapat e ndërmarrë në drejtim të modernizimit të shërbimeve.
Në fjalën e saj, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, u ndal te reforma e pensioneve në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e qëndrueshmërisë financiare, thjeshtimit të shërbimeve dhe përshtatjes së skemës me ndryshimet demografike.
Në vijim, Zëvendësministrja znj. Olta Manjani dhe ekspertët ndërkombëtarë trajtuan rëndësinë e transformimit digjital të shërbimeve, duke nënvizuar se përdorimi i teknologjisë duhet të shoqërohet me ofrimin e asistencës njerëzore për personat e moshuar.
Gjatë kësaj dite u prezantuan praktika dhe përvoja nga vende të ndryshme evropiane, me fokus në krijimin e shërbimeve më të qarta, të aksesueshme dhe të integruara për qytetarët.







