Pyetje:
Përshëndetje. Kam punuar 3 vite kur isha në moshën 20 vjeç dhe nuk më kanë paguar sigurime shoqërore. Dua që t’i paguaj tani ato vite me sigurim vullnetar. A mund të më sqaroni ju lutem se sa është pagesa dhe si funksionon? Faleminderit.
Përgjigje:
Përsa pyesni, ju sqaroj se Instituti i Sigurimeve Shoqërore i ofron mundësinë të gjithë shtetasve shqiptarë kudo që ndodhen, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj që për të plotësuar periudhat e pambuluara kontributive, duke u siguruar vullnetarisht nëpërmjet sigurimit vullnetar.
Kuota mujore që duhet të paguani për të bërë sigurimi vullnetar, si për vitin korrent (vitin 2017), ashtu dhe për vitet e kaluara që ju i keni të paplotësuara me kontribute është 5 184 lekë në muaj ose 62 208 lekë në vit.
Nëse ju vendosni të bëni sigurimi vullnetar, duhet të paraqiteni në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore pranë vendbanimit tuaj, me fotokopjen e kartës së identitetit dhe librezën e punës apo librezë kontributesh, nëse keni. Inspektori për sigurimin vullnetar në ALSSH do të jetë në shërbimin tuaj në çdo kohë që ju do të paraqiteni.
Ju uroj ditë të mbarë