Nisin hapat konkretë Shqipëri – Kosovë, në fushën e sigurimeve shoqërore

Në datën 07 mars 2015, u firmos në Prishtinë nisja e hapave konkretë për përshpejtimin e njohjes së periudhave kontributive që do t’i japë mundësinë shqiptarëve në të dy anët e kufirit të mos humbasin periudhat e tyre kontributive, pavarësisht se ku punojnë, në Shqipëri apo Kosovë. Kjo marrëveshje i hapi rrugën ngritjes së grupeve teknike të ekspertëve, të cilët do të bëjnë të mundur përafrimin e legjiclacionit të dy vendeve, deri në nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare për njohjen e periudhave kontributive të shtetasve shqiptarë që punojnë në Kosovë dhe anasjelltas.

Në këtë takim, nga pala shqiptare, morën pjesë Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj dhe Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, znj. Vjollca Braho. Ndërsa nga pala kosovare merrnin pjesë Ministri i Punës në Kosovë, z.Arban Abrashi, dhe Kryetari i Bordit të FKPK-së (TRUST-i), z.Ymer Havolli.