Mbi zbatimin e Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë

Në prag të hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për sigurimet shoqërore midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Italiane, e cila u nënshkrua në Romë më 6 shkurt 2024, institucionet e sigurimeve shoqërore të të dy vendeve, ISSH dhe INPS, po punojnë intensivisht për të dakordësuar formatet e formularëve si dhe mënyrën e shkëmbimit elektronik të tyre midis dy institucioneve.

Marrëveshja është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 103/2024 me Ligjin nr. 47/ 2024, datë 16.05.2024 “Për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurimet shoqërore midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Italiane” dhe do të hyjë në fuqi nga dita e parë e muajit të dytë pas datës së shkëmbimit të instrumenteve të ratifikimit.

Për zbatimin e plotë të kësaj marrëveshjeje, më 10 prill 2025, u nënshkrua mes palëve edhe Marrëveshja Administrative. Të dyja marrëveshjet do të hyjnë në fuqi njëkohësisht, duke hapur rrugën për përfitimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve nga të dyja skemat e sigurimeve shoqërore.

QËLLIMI I MARRËVESHJES:

Marrëveshja synon dhe garanton një mbrojtjeje më të gjerë për personat që kanë kontribuuar në skemat e sigurimeve shoqërore të dy vendeve, duke promovuar lëvizjen e lirë të punëtorëve.

Çfarë mbulojnë institucionet kompetente në zbatim të Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore Shqipëri–Itali?

Për legjislacionin shqiptar, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, (ISSH), do të mbulojë:

  • Përfitimet për pension pleqërie, invaliditeti dhe pensionin familjar,
  • Përfitimet për sëmundje dhe barrëlindje,
  • Sigurimin e papunësisë

Për legjislacionin italian, Instituti Kombëtar i Sigurimeve Shoqërore, (INPS), do të mbulojë:

  • Pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pasjetuesve për punonjësit e siguruar (sektori privat, publik, të vetëpunësuar dhe të regjistruar në skema të veçanta),
  • Sigurimin e papunësisë,
  • Përfitimet në para për sëmundje, tuberkuloz dhe barrëlindje

PËRMBAJTJA KRYESORE E MARRËVESHJES

1.Mënyrat e njohjes së të drejtës për pension :

  • Sipas legjislacionit të njerit shtet (Neni 12):

Një punonjës që plotëson kushtet e pensionit në një shtet, pa nevojën e bashkimit të periudhave të sigurimit nga shteti tjetër, merr pensionin e llogaritur vetëm mbi bazën e kontributeve të paguara në atë shtet.

  • Sipas legjislacionit të të dy shteteve me bashkimin e periudhave kontributive (Neni 13):
  • Në mungesë të plotësimit të kontributeve minimale, periudhat e kontributeve të grumbulluara në të dy shtetet bashkohen për qëllime të së drejtës për pension. Shuma e përfitimit përcaktohet më pas sipas metodës proporcionale.

2.Eksportimi i përfitimeve :

Pensionet e paguara nga njëri prej dy shteteve, mund të transferohen pa penalitete, edhe në rast se përfituesi zhvendoset në një vend të tretë.

3.Përfitimet e pensionit minimal (Neni 16) :

Përfitimi i pensionit minimal njihet vetëm nëse pensionisti banon në vendin që ofron përfitimin. Është përgjegjësi ekskluzive e shtetit të rezidencës.

4.Kontributet e sigurimeve shoqërore :

  • Për punëtorët e dërguar përkohësisht me punë (Neni 6): parashikohet ruajtja e së drejtës për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore në vendin e origjinës deri në 24 muaj.
  • Për punonjësit e vetëpunësuar (neni 6, paragrafi 2): ekziston mundësia e ruajtjes së të drejtës sipas legjislacionit të sigurimeve shoqërore të vendit të origjinës për transferime të përkohshme më pak se 24 muaj.
  • Për personelin udhëtues të transportit ajror, rrugor dhe hekurudhor si edhe anëtarët e ekuipazhit të anijeve detare (Neni 6, paragrafët 3 dhe 4): zbatohet legjislacionit i vendit në të cilin ka selinë kompania ose, për detarët, i shtetit të flamurit që mban anija.

5.Njohja e periudhave të mëparshme të kontributeve:

Periudhat e sigurimit të grumbulluara para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes njihen për qëllime të bashkimit të periudhave kontributive. Megjithatë, ato nuk ju japin të drejtë për përfitime për periudhat e mëparshme.

Marrëveshja midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore