I nderuar z. Ministër,
Të nderuar kolegë,
Së pari më lejoni t’ju falenderoj për mbështetjen dhe besimin që i keni dhënë institucionit që unë drejtoj, në drejtim të arritjes së objektivave, duke bërë të mundur që qytetarët të mund të arrijnë të përfitojnë në kohë të drejtat që iu takojnë.
Në zbatim të objektivave të përcaktuara në programin e Qeverisë, si dhe në prioritetet e përcaktuara nga vetë ISSH, më lejoni të veçoj përfshirjen e frutshme të të gjithë specialistëve në ISSH për hartimin e një reforme thelbësore të sistemit të sigurimeve shoqërore, me synim tejkalimin gradual të gjendjes financiare të fondit të sigurimeve shoqërore, krijimin e një sistemi sigurimesh më të drejtë, të mbështetur në parimin kontributiv dhe që do të përmirësojë në vazhdimësi qëndrueshmërinë financiare të tij.
Falë bashkëpunimit mes ekspertëve nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe ISSH, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të z. Ministër, sot kemi një studim të plotë të gjëndjes dhe problematikave të sistemit të sigurimeve shoqërore, ç’ka është kthyer në një projektligj që e bën sistemin e sigurimeve shoqërore më bashkëkohor, të drejtë, me interesa të kombinuara dhe me synimin e forcimit të qendrueshmërisë financiare të tij.