Analiza 8-mujore e punës “Mbi realizimin e të ardhurave dhe numrit të kontribuesve nga sigurimi i të vetëpunësuarve në bujqësi”.

Sot, në ambjentet e Arkivit Qendror të Sigurimeve Shoqërore në Lundër, Tiranë, u organizua analiza 8-mujore e punës “Mbi realizimin e të ardhurave dhe numrit të kontribuesve nga sigurimi i të vetëpunësuarve në bujqësi”. Në këtë takim mori pjesë Ministri i Çështjeve Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi.

Gjatë fjalës së tij, z. Klosi vuri theksin në mosrealizimin e planit në disa nga DRSSH-të, në drejtim të mbledhjes së kontributeve të të vetëpunësuarve në bujqësi, për arësye subjektive dhe detyrat për të ardhmen, në mënyrë që çdo inspektor bujku të shkojë pranë çdo familje, duke bërë të qartë se pa kontribuar sot, nuk mund të marrësh një pension nesër.

Ndërsa Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, znj. Vjollca Braho, në fjalën e saj theksoi se inspektorët e të vetëpunësuarve në bujqësi janë përfaqësues të sigurimeve shoqërore në çdo komunë dhe fshat të Shqipërisë. Performanca individuale e tyre është performanca e gjithë institucionit dhe sistemit të sigurimeve shoqërore. Ndërsa plani i të ardhurave nga sigurimi vullnetar per kete 8-mujor ka kapur shifrën prej 115.6%, plani për të vetëpunësuarit në bujqësi është realizuar në masën 92.5%.

Në fund të këtij takimi u përcaktuan detyrat dhe objektivat për të ardhmen. Në kushtet kur sigurimi i të vetëpunësuarve në bujqësi është një sigurim i detyrueshëm, mbështetur në të dhënat e bilancit të popullsisë rurale, objektivi i çdo inspektori të të vetëpunësuarve në bujqësi është futja  në skemë e të gjithë fermerëve të zonës që ai mbulon.

Fjala e plotë e Drejtoreshës së Përgjithshme të ISSH-së, znj. Vjollca Braho

I nderuar Zoti Ministër,

Të nderuar pjesëmarrës,

Jemi mbledhur sot këtu për të zhvilluar analizën tetëmujore të realizimit të të ardhurave nga kontributet në përgjegjësi të ISSH-së dhe për të përcaktuar objektivat dhe masat deri në fund të vitit për realizimin e të ardhurave.