Çfarë është trajtimi i veçantë financiar i pilotëve fluturues?
Është një përfitim financiar që u jepet, pilotëve, të cilët kanë fluturuar me avionë reaktivë, avionë me helikë dhe helikopterë në shtesë të pensionit të pleqërisë.
Kushtet ligjore për të përfituar trajtimin e veçantë financiar i pilotëve fluturues:
Trajtimi i veçantë financiar përfitohet :
a) kur piloti ka fluturuar me avionë reaktivë jo më pak se 8,5 (tetë vjet e gjashtë muaj) vite kalendarike;
b) kur piloti ka fluturuar me avionë me helikë dhe me helikopterë jo më pak se 12,5 (dymbëdhjetë vjet e gjashtë muaj) vite kalendarike.
c) për funksionet avion drejtues fluturues, qitës-radist, radist, teknik, fluturues bordi, me jo më pak se 15 vite vjetërsi në shërbim.
Si llogaritet trajtimi i veçantë financiar i pilotëve fluturues?
Pilotët, të cilët kanë fluturuar me avionë reaktivë, avionë me helikë dhe helikopterë dhe që kanë plotësuar ose plotësojnë kushtet për pension pleqërie, përfitojnë, përveç pensionit të pleqërisë, një trajtim të veçantë financiar, në shtesë të pensionit, në masën:
1. 50 për qind të pagës referuese që ka pasur përfituesi në çastin e daljes në rezervë, lirim ose pension pleqërie:
a) kur piloti ka fluturuar me avionë reaktivë jo më pak se 12,5 (dymbëdhjetë vjet e gjashtë muaj) vite kalendarike;
b) kur piloti ka fluturuar me avionë me helikë dhe me helikopterë jo më pak se 16,5 (gjashtëmbëdhjetë vjet e gjashtë muaj) vite kalendarike.
2. 35 për qind të pagës referuese që ka pasur përfituesi në çastin e daljes në rezervë, lirim ose pension pleqërie:
a) kur piloti ka fluturuar me avionë reaktivë jo më pak se 8,5 (tetë vjet e gjashtë muaj) vite kalendarike;
b) kur piloti ka fluturuar me avionë me helikë dhe me helikopterë jo më pak se 12,5 (dymbëdhjetë vjet e gjashtë muaj) vite kalendarike.
3. 25 për qind të pagës referuese që ka pasur përfituesi në çastin e daljes në rezervë, lirim ose pension pleqërie, për funksionet avion drejtues fluturues, qitës-radist, radist, teknik, fluturues bordi, me jo më pak se 15 vite vjetërsi në shërbim, pavarësisht nga koha e daljes në pension.
Shuma e pensionit të plotë të pleqërisë, plus masa e trajtimit të veçantë financiar, sipas këtij ligji, nuk mund të jetë më e madhe se 50 për qind e pagës referuese të pilotit fluturues, kur ka dalë në rezervë, lirim ose pension pleqërie.
Aplikimi :
Personi që plotëson kushtet për të përfituar trajtimin e veçantë financiar të pilotëve fluturues, duhet të paraqesë kërkesën për përfitim, përmes aplikimit në portalin qeveritar e – Albania, duke zgjedhur shërbimin “Aplikim për pension pleqërie, suplementar pilot, suplementar lundrues i nëndetëseve apo suplementar për akademik”.
Dokumentet origjinale dërgohen përmes shërbimit postar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ku personi i interesuar ka vendbanimin.
Baza ligjore :
- Ligj nr. 9128, datë 29.07.2003 “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, i përditësuar – Shkarko në PDF
- VKM nr. 53, datë 29.01.2004 “Për procedurat dhe masën e trajtimit të veçantë financiar të pilotëve fluturues në pension” – Shkarko në PDF
- VKM nr. 644, datë 16.06.2010 “Për përcaktimin e procedurës dhe të masës së trajtimit të veçantë financiar të pilotëve e të teknikëve fluturues të njësisë së transportit mjekësor me helikopter, në pension” – Shkarko në PDF


