Ushtarakët

I.    Pension i parakohshëm ushtarak, në zbatim të Ligjit nr. 10142/ 2009, i ndryshuar.

Çfarë është pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi?

Është një përfitim që u jepet ushtarakëve të Forcave të Armatosura, punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës së Shqipërisë, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm e anëtarëve të familjeve të tyre, deri në plotësimin e moshës për përfitim sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Kushtet ligjore për të përfituar pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi:

Ushtaraku i shërbimit aktiv të përhershëm në Forcat e Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës së Republikës, i SHISH-it, i/të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, i Policisë së Burgjeve, i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi dhe punonjësi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, pavarësisht nga koha e daljes në rezervë/ lirim, deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, fitojnë të drejtën e pensionit të parakohshëm, kur:

a) plotësojnë vjetërsinë në shërbim, 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt;

b) kanë mbushur moshën 42 vjeç femrat dhe 47 vjeç meshkujt.

Si llogaritet pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi:

1.Pensioni i parakohshëm, për personat që plotësojnë kushtet e përfitimit, është 1.5 për qind e pagës mesatare referuese mujore neto, për çdo vit shërbimi.

2.Në çdo rast, masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë, i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

3.Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur përfituesi rikthehet në shërbimin aktiv.

4.Kur përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune, që nuk lidhen me funksionin e tij të mëparshëm, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet sa një pension bazë, i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Aplikimi :

Personi i interesuar për të përfituar pension të parakohshëm, duhet të paraqesë kërkesën për përfitim, përmes  portalit  qeveritar “e-Albania”, duke zgjedhur shërbimin “Aplikim për pension të parakohshëm ushtarak sipas Ligjit 10142”.

Dokumentet  origjinale  dërgohen  përmes  shërbimit postar  pranë  Drejtorisë  Rajonale  të  Sigurimeve  Shoqërore, ku personi i interesuar ka vendbanimin.

II.   Pension suplementar pleqërie si ushtarak, në zbatim të Ligjit nr. 10142/ 2009, i ndryshuar.

Çfarë është pensioni suplementar i pleqërisë?

Është një përfitim që u jepet ushtarakëve të Forcave të Armatosura, punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës së Shqipërisë, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, të Policisë se Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në shtesë të pensionit të pleqërisë sipas ligjit nr.7703, datë 11.05.1993, i ndryshuar.

Kushtet ligjore për të përfituar pensionin suplementar të pleqërisë?

Ushtaraku i Forcave të Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës së Republikës, të SHISH-it, i/të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, i Policisë së Burgjeve, i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi dhe punonjësi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, që përfitojnë pension pleqërie, sipas ligjeve nr.4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” dhe nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, gëzojnë të drejtën e një pensioni suplementar pleqërie.

Si llogaritet pensioni suplementar i pleqërisë?

Pensioni suplementar i pleqërisë llogaritet me 1 për qind të pagës mesatare referuese mujore neto për çdo vit shërbimi, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë, që përfituesi gëzon në çastin e lindjes së të drejtës për pension suplementar.

Aplikimi :

Personi i interesuar për të përfituar pension suplementar pleqërie duhet të paraqesë kërkesën për përfitim, përmes portalit qeveritar “e-Albania”, duke zgjedhur shërbimin “Aplikim për pension pleqërie, suplementar pilot, suplementar lundrues i nëndetëseve apo suplementar për akademik”.

Dokumentet  origjinale  dërgohen  përmes  shërbimit postar  pranë  Drejtorisë  Rajonale  të  Sigurimeve  Shoqërore, ku personi i interesuar ka vendbanimin.

III.   Pension suplementar familjar si ushtarak, në zbatim të Ligjit nr. 10142/ 2009, i ndryshuar

Çfarë është pensioni suplementar familjar?

Është një përfitim që u jepet familjarëve të ish ushtarakëve të Forcave të Armatosura, punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës së Shqipërisë, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, të Policisë se Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në shtesë të pensionit familjar sipas ligjit nr.7703, datë 11.05.1993, i ndryshuar.

Kushtet ligjore për të përfituar pensionin suplementar familjar?

Pjesëtarët e familjes, në ngarkim të personave të përcaktuar në nenin 2 të këtij ligji, kur përfitojnë pension familjar, sipas ligjit nr. 4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” ose ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përfitojnë edhe pension suplementar familjar.

Si llogaritet pensioni suplementar familjar?

Pensioni suplementar familjar llogaritet në bazë të pensionit suplementar mujor, që kishte ose i takonte të merrte i ndjeri/e ndjera dhe është 50 për qind për bashkëshortin/bashkëshorten e ve dhe 25 për qind për çdo jetim, prind ose pjesëtar tjetër të familjes në ngarkim.

Kufiri maksimal i këtij përfitimi nuk duhet të jetë më i lartë se shuma e plotë e pensionit suplementar, që kishte ose i takonte të merrte i ndjeri/e ndjera, sipas këtij ligji.

Aplikimi :

Personi i interesuar për të përfituar pension suplementar familjar duhet të paraqesë kërkesën për përfitim përmes portalit qeveritar “e-Albania”, duke zgjedhur shërbimin “Aplikim për pension familjar”.

Dokumentet  origjinale  dërgohen  përmes  shërbimit postar  pranë  Drejtorisë  Rajonale  të  Sigurimeve  Shoqërore, ku personi i interesuar ka vendbanimin.

IV.   Suplementar invaliditeti si ushtarak, në zbatim të Ligjit nr. 10142/ 2009, i ndryshuar

Çfarë është pensioni suplementar i invaliditetit ?

Është përfitim që u jepet ushtarakëve të Forcave të Armatosura, punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës së Shqipërisë, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, të Policisë se Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në shtesë të pensionit invaliditetit sipas ligjit nr.7703, datë 11.05.1993, i ndryshuar.

Kushtet ligjore për të përfituar pensionin suplementar të invaliditetit:

Ushtaraku i shërbimit aktiv të përhershëm në Forcat e Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës së Republikës, i SHISH-it, i/të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, i Policisë së Burgjeve, i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi dhe punonjësi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore përfitojnë të drejtën për pension invaliditeti suplementar në rastet kur janë deklaruar invalidë dhe përfitojnë pension invaliditeti të plotë apo të pjesshëm, sipas ligjit nr. 4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” ose ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Si llogaritet pensioni suplementar invaliditetit?

Pensioni suplementar i invaliditetit llogaritet 1 për qind për çdo vit shërbimi mbi pagën mesatare referuese mujore neto, por jo më shumë se 50 për qind të pensionit të invaliditetit, që përfitohet sipas ligjit nr. 4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” ose ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Kur personat e sipërpërmendur bëhen invalidë në krye të detyrës apo për shkak të saj, masa e pensionit suplementar të invaliditetit është 20 për qind e pagës referuese.

Aplikimi :

Personi i interesuar për të përfituar pension suplementar invaliditeti duhet të paraqesë kërkesën për përfitim, përmes portalit qeveritar “e-Albania, duke zgjedhur shërbimin “Aplikim për pension invaliditeti (KMCAP)”.

Dokumentet  origjinale  dërgohen  përmes  shërbimit postar  pranë  Drejtorisë  Rajonale  të  Sigurimeve  Shoqërore, ku personi i interesuar ka vendbanimin.

V.   Pension suplementar familjar për personat që humbasin jetën në detyrë apo për shkak të saj konform Ligjit nr. 10142 / 2009 i ndryshuar.

Çfarë është pensioni suplementar familjar rënë në krye të detyrës?

Është një përfitim që u jepet familjarëve të ish ushtarakëve të Forcave të Armatosura, punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës së Shqipërisë, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, të Policisë se Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, kur humbet jetën në detyrë ose për shkak të saj, në shtesë të pensionit familjar sipas ligjit nr.7703, datë 11.05.1993, i ndryshuar.

Kushtet ligjore për të përfituar pensionin suplementar familjar?

Pjesëtarët e familjes, në ngarkim të personave të përcaktuar në nenin 2 të këtij ligji, kur përfitojnë pension familjar, sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” ose ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përfitojnë edhe pension suplementar familjar.

Si llogaritet pensioni suplementar familjar?

Pjesëtarët e familjes në ngarkim të ushtarakut të shërbimit aktiv të përhershëm në Forcat e Armatosura, të punonjësit të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të SHISH-it, i/të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, të Policisë së Burgjeve, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi e të punonjësit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, që humbasin jetën në detyrë apo për shkak të saj, përveçse përfitojnë pension familjar, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përfitojnë edhe pension suplementar familjar sa diferenca ndërmjet pagës referuese të të ndjerit/së ndjerës, në çastin e humbjes së jetës dhe pensionit familjar, që përfitonte, sipas dispozitave të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Aplikimi :

Personi i interesuar, për të përfituar pension suplementar familjar duhet të paraqesin kërkesën për përfitim përmes portalit qeveritar “e-Albania”, duke zgjedhur shërbimin “Aplikim për pension familjar“.

Dokumentet  origjinale  dërgohen  përmes  shërbimit postar  pranë  Drejtorisë  Rajonale  të  Sigurimeve  Shoqërore, ku personi i interesuar ka vendbanimin.

Baza ligjore:

  • Ligji nr. 10142, datë 15.5.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, të Policisë së Burgjeve, të Shërbimit të mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi e të punonjësve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar – Shkarko në PDF
  • VKM nr.793, datë 24.09.2010, “Për zbatimin e ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të shpëtimit e të punonjësve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në Republikën e Shqipërisë”, e ndryshuar – Shkarko në PDF