Sigurimet shoqërore mbrojnë dhe trajtojnë me të ardhura personat e siguruar edhe në lidhje me paaftësinë e përkoshme në punë për shkak të sëmundjes, barrëlindje, aksidentin në punë dhe sëmundjet profesionale.
Kushtet e përfitimit të paaftësisë së përkohshme nga sëmundja :
- Pagesën për paaftësi të përkohshme nga sëmundja e përfitojnë personat e punësuar.
- Personi i siguruar ka të drejtën e përfitimit të të ardhurave për sëmundje edhe brenda 30 ditëve kalendarike, pas mbarimit të sigurimit të tij të detyrueshëm.
- Të ardhurat për periudhën deri në 14 ditët e para të paaftësisë së përkohshme për punë, si dhe të ardhurat për kujdesin ndaj fëmijës në ngarkim, paguhen nga punëdhënësi, në përputhje me përcaktimet e Kodit të Punës, kontratën e punësimit ose marrëveshjen me përfaqësuesit e punëtorëve, por jo më pak se pagesat e përcaktuara në këtë ligj.
- Periudha e përfitimit për paaftësi të përkohshme për punë nw skemwn e sigurimeve shoqërore fillon nga dita e 15-të e raportit mjekësor.
- Përfitimi për paaftësi të përkohshme për punë jepet deri në 6 muaj gjithsej, duke përfshirë edhe periudhën e 14 ditëve të para të paguara nga punëdhënësi.
- E drejta për të ardhura parashkruhet me kalimin e një viti nga data e fillimit të së drejtës për përfitimin e tyre.
Dokumentacioni :
- Raport mjekësor për paaftësi të përkohshme për punë, të lëshuara në përputhje me kriteret, rregullat dhe procedurat e përcaktuara në aktet nënligjore në fuqi.
- Dokument identifikimi, sipas kërkesave të shërbimit dhe procedurës administrative.
- Dokumentacion që vërteton periudhat e sigurimit, kur kërkohet për përcaktimin e masës së përfitimit, si libreza e punës dhe/ose vërtetimi i vjetërsisë në sigurime.
Aplikimi :
Aplikimi për përfitim kryhet online përmes portalit e Albania duke zgjedhur shërbimin “Të ardhura për paaftësi të përkohëshme nga sëmundje të përgjithshme”.
Dokumentet origjinale dërgohen përmes shërbimit postar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ku kryen aktivitetin subjekti.
Masa e përfitimit për paaftësi të përkohshme për punë :
- Të ardhurat për paaftësi të përkohshme për punë përllogariten në masën 70% të mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të gjashtë muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës për përfitim, kur personi i siguruar ka deri në 10 vjet sigurim.
- Kur personi i siguruar ka mbi 10 vjet sigurim, të ardhurat për paaftësi të përkohshme për punë përllogariten në masën 80% të mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të gjashtë muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës për përfitim.
Për të vërtetuar periudhën gjatë së cilës personat janë trajtuar me të ardhura për paaftësi apo barrëlindje, Instituti i Sigurimeve Shoqërore lëshon vërtetim, i cili ofrohet përmes aplikimit online, në shërbimin “Vërtetim për periudhën e pagesës për paaftësi të përkohshme në punë”.
Baza ligjore për përfitimin e paaftësisë së përkohshme për punë :
- Ligj nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nenet 26, 27, 28 dhe 29 – Shkarko në PDF
- VKM nr. 77, datë 28.01.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”, i ndryshuar, i përditësuar – Shkarko në PDF
- Rregullore nr. 37, datë 23.12.2004 “Për caktimin, administrimin dhe pagesën e përfitimeve afatshkurtëra” – Shkarko në PDF
- Rregullore “Për kriteret, rregullat dhe procedurat e lëshimit të raporteve mjekësore elektronike për paaftësinë e përkohshme për punë, për barrëlindje dhe për aksidente në punë e sëmundje profesionale” – 22.06.2022 – Shkarko në PDF
- Rregullore “Për kriteret, rregullat dhe procedurat e lëshimit të raporteve mjekësore elektronike për paaftësinë e përkohshme në punë e sëmundje profesionale” – 29.12.2023 – Shkarko në PDF
- Kriteret Klinike Orientuese për Përcaktimin e Paaftësisë së Përkohshme në Punë – Shkarko në PDF
- Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë, ligj nr. 7961, dt.12.07.1994, i përditësuar – Shkarko në PDF


