Sigurimi i Detyruar për të Vetëpunësuarit në Bujqësi

Çfarë janë dhe pse duhet të paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga të vetëpunësuarit në bujqësi?

Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore janë detyrim ligjor për të vetëpunësuarit në bujqësi. Pagesa e rregullt e kontributeve siguron mbulimin me elemente të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe mundëson përfitimin e të drejtave të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.

Pagesa në kohë e kontributeve për sigurimet shoqërore është e rëndësishme për vijimësinë e periudhave të sigurimit dhe garantimin e të drejtave për përfitime nga skema e sigurimeve shoqërore.

Vonesat në pagesë mund të sjellin detyrime të shtuara, sipas legjislacionit në fuqi, duke rritur shumën që duhet të paguajë personi i interesuar.

PAGUAJ NË KOHË KONTRIBUTET E SIGURIMEVE SHOQËRORE PËR TË SHMANGUR DETYRIMET FINANCIARE SHTESË QË LINDIN SI PASOJË E VONESAVE NË PAGESË !

      1.  Kush është subjekt i sigurimit të detyrueshëm shoqëror si i/e vetëpunësuar në bujqësi?

Mbështetur në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe në VKM nr. 77, datë 28.01.2015 “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”, të ndryshuar, subjektet e sigurimit të detyrueshëm shoqëror, në kategorinë e të vetëpunësuarve në bujqësi, janë personat që duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:

  • Të kenë mbushur moshën 16 vjeç;
  • Të jenë të aftë për punë;
  • Të mos kenë arritur moshën për pension pleqërie;
  • Të mos jenë të siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë:

I/e vetëpunësuari/a në bujqësi duhet të plotësojë detyrimisht edhe një nga këto kushte:

Të banojë në të njëjtin rreth ku ka tokën bujqësore në pronësi ose në përdorim dhe të zhvillojë veprimtari bujqësore e blegtorale, ose

Të banojë në fshat, edhe në rastet kur tokën bujqësore e ka në një rreth fqinj.

     2.   Dokumentacioni i domosdoshëm për t’u paraqitur :

a) Certifikata familjare, e lëshuar nga zyra e gjendjes civile;

b) Vërtetimi i pronësisë mbi tokën, i lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pranë organeve të pushtetit vendor, dhe/ose;

c) Vërtetimi mbi tokën e marrë në përdorim, i lëshuar nga strukturat përkatëse pranë organeve të pushtetit vendor, dhe/ose;

ç) Kontrata e qiramarrjes së tokës bujqësore, e noterizuar;

d) Vërtetimi i lëshuar nga komuna ose bashkia, ku cilësohet se personi ushtron veprimtari bujqësore/blegtorale.

      3Procedura që duhet të ndiqet :

  • Inspektori i të vetëpunësuarve në bujqësi vlerëson plotësimin e kushteve për sigurim si i/e vetëpunësuar në bujqësi, në bazë të dokumentacionit të paraqitur dhe plotëson dokumentin tip “Urdhër veprimi” i cili pasqyron periudhen qe do te mbulohet me kontribute dhe shuma qe duhet paguar.
  • I vetëpunësuari në bujqësi, me “Urdhrin e veprimit”, paraqitet për të kryer pagesën në zyrën postare ose në zyrën bankare. Me kryerjen e pagesës, zyra postare lëshon dokumentin “Mandat arkëtimi”, ndërsa zyra bankare lëshon dokumentin “Veprim arke”, i cili konfirmon kryerjen e pagesës.
  • I vetëpunësuari në bujqësi dorëzon një kopje të mandatpagesës për regjistrim tek inspektori i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi.

Zonat ku ushtrojnë aktivitetin bujqësor/ blegtoral të vetëpunësuarit në bujqësi ndahen në:

Zona malore, në të cilat përfshihen të vetëpunësuarit në bujqësi, që banojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë.

Zona fushore, në të cilat përfshihen të vetëpunësuarit në bujqësi, që banojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në rrethet Berat, Kuçovë, Durrës, Krujë, Elbasan, Peqin, Fier, Lushnjë, Mallakastër, Gjirokastër, Përmet, Korçë, Pogradec, Devoll, Lezhë, Laç, Shkodër, Tiranë, Kavajë, Vlorë, Sarandë dhe Delvinë.

      4.  Pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Sigurimi si i/e vetëpunësuar në bujqësi është i detyrueshëm.

  • I/e vetëpunësuari/a në bujqësi, që banon në zonat fushore, mbështetur në VKM nr. 653, datë 22.07.2015, duke filluar nga data 01.08.2015 e në vazhdim, duhet të paguajë kontributet për sigurimet shoqërore, kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 38, 400 lekësh;
  • I/e vetëpunësuari/a në bujqësi, që banon në zonat malore, mbështetur ne VKM nr. 653, date 22.07.2015, nga data 01.01.2015 e në vazhdim, duhet t’i derdhë kontributet për sigurimet shoqërore, kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 29, 400 lekësh;
  • Pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhen bashkarisht. Ato janë të detyrueshme dhe paguhen individualisht një herë në tre muaj.
  • Afati i fundit i këtyre pagesave është jo më vonë se dita e fundit e muajit të tretë, brenda çdo tremujori kalendarik.
  • Për të bërë sigurim për periudha të kaluara, pagesa e kontributeve bëhet kundrejt masave aktuale, mbi të cilën aplikohen dhe kamatëvonesat përkatëse.

Të vetëpunësuarit në bujqësi, të cilët nuk arrijnë të plotësojnë kushtin minimal të periudhës së sigurimit (15 vite periudhe sigurimi), për të përfituar pension mund të kryejnë pagesa kontributesh edhe pas plotësimit të moshës për pension, por me kusht që ato t’u korrespondojnë periudhave para plotësimit të moshës për pension, duke paguar sipas masës së kontributit të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, për vitin kur kryhet pagesa

     5Përfitimet që rrjedhin nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore për të vetëpunësuarit në bujqësi.

I/e vetëpunësuari/a në bujqësi, i cili plotëson kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, është përfitues/e, sipas rastit, i :

  • Pensionit të pleqërisë;
  • Pensionit të invaliditetit;
  • Pensionit familjar;
  • Të ardhurës për barrëlindje;
  • Shpërblimin për lindje fëmije.

Kategoria e të vetëpunësuarve në bujqësi përbën një kategori të favorizuar nga politikat shtetërore të mbështetjes, pasi skema ofron avantazhe në dy momente:

  • Në momentin e pagesës së kontributeve, një pjesë e detyrimit për kontribute subvencionohet nga buxheti i shtetit, duke i ulur barrën financiare personit të siguruar,
  • Në momentin e përfitimit të pensionit, periudha për të cilën janë paguar kontributet si i /e vetëpunësuar në bujqësi, njihet si periudhe sigurimi dhe merret në konsideratë për përfitimin e një pensioni urban/qyteti.

Periudhat e sigurimit të realizuara nëpërmjet skemës së të vetëpunësuarve në bujqësi, të paguara nga viti 2014 e ne vazhdim pasqyrohen në kohë reale në Regjistrin elektronik të kontribuesve. Kontribuesi mund t’i verifikojë periudhat për të cilat ka paguar kontributet si i vetëpunësuar në bujqesi dhe të pajiset me vërtetimin përkatës, nëpërmjet portalit zyrtar https://e-albania.al/.

Për periudhat e siguruara dhe të paguara para vitit 2014, aplikimi për vërtetime bëhet nëpërmjet portalit zyrtar https://e-albania.al/, duke specifikuar periudhat e siguruara dhe DRSSH-në ku janë kryer pagesat.