Kush quhet person i  vetëpunësuar?
Person i vetëpunësuar është personi i cili e ushtron vetë aktivitetin e tij dhe personi me të ardhura  të rregullta nga veprimtaria ekonomike.

Çfarë janë dhe pse duhet të paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore?
Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore janë pagesa të detyrueshme, për të gjithë personat ekonomikisht aktivë, ku përfshihen edhe të vetëpunësuarit. Duke paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore ju jeni i siguruar për të përfituar nga Ligji i sigurimeve shoqërore dhe nga Ligji i sigurimeve shëndetësore.

Çfarë përfitohet si i vetëpunësuar nga pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore:
Nga pjesëmarrja në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore përfitohen të gjitha llojet e pensioneve:

  • Pension bazë pleqërie;
  • Pension i pjesshëm pleqërie;
  • Pension pleqërie i reduktuar;
  • Pension familjar;
  • Pension invaliditeti;
  • Pension i pjesshëm invaliditeti;
  • Shërbim shëndetësor  dhe rimbursim ilaçesh.

Baza ligjore mbi të cilën paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të vetëpunësuarit:

  • Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
  • Ligji nr. 7870, datë 13.10.1994 “Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
  • Ligji nr. 9136, datë 11.09.2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, i ndryshuar;
  • Ligji nr. 7961, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
  • VKM nr. 1114, datë 30.07.2008 “Për disa çështje në zbatim të ligjeve nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nr. 9136, datë 11.09.2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nr. 7870, datë 13. 10. 1994 “Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. (Shkarko të plotë në PDF)
  • VKM nr. 77, datë 28.01.2015, ndryshuar me VKM nr. 653, datë 22.07.2015 dhe VKM nr. 551, datë 27.07.2016 (Shkarko në PDF)
  • Udhëzim i Ministrit të Financave, nr. 26, datë 16.04.2009, i ndryshuar;
  • Udhëzim i Ministrit të Financave, nr. 23, datë 09.12.2014 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”,  i ndryshuar.

“Punëdhënës” quhen të gjithë personat fizikë e juridikë, që punësojnë persona të tjerë me ose pa kontratë.

Cilat janë detyrimet si punëdhënës:
  • Në mbështetje të Kodit të Punës punëdhënësi është i detyruar të nënshkruajë një kontratë pune me punëmarrësit, me kohë të plotë ose të pjesëshme;
  •  Punëdhënësi duhet të mbajë regjistra për periudhën e marrëdhënieve të punës dhe shumat e paguara për çdo punëmarrës, me kohë të plotë ose të pjesëshme;
  • Të bëjë sigurimin e çdo punëmarrësi, me kohë të plotë ose të pjesëshme, duke filluar nga data e fillimit të punës, sipas përcaktimit në kontratën e punës ose në aktin e emërimit;
  • Të bëjë llogaritjen, deklarimin dhe pagesën e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, brenda afateve të përcaktuara për çdo punëmarrës.Mbi ç’pagë duhet të llogariten kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për çdo punëmarrës:

Paga minimale mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga data 01.01.2015, është 22 000 lekë dhe paga maksimale mujore është 97 030 lekë (VKM nr. 77, datë 28.01.2015). 

  • Pagesa e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore kryhet nga punëdhënësi sipas afateve të përcaktuara me ligj. Dokumentat bazë për pagesën e tyre janë bashkangjitur në Aneksin e këtij Manuali;
  • Punëdhënësi ka detyrim ligjor për llogaritjen, deklarimin dhe pagesën e kontributeve në kohën dhe masën e duhur. Listëpagesa është një deklaratë e subjektit, në të cilën evidentohen kontributet individuale, dhe si e tillë, në mbështetje të Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” tatimpaguesi që nuk lëshon deklaratën tatimore në afat dënohet me gjobë me 10 000 lekë, për çdo deklaratë tatimore të padorëzuar;
  • Punëdhënësi, i cili nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën 48 orë përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së kontributeve të papaguara, detyrohet të paguajë edhe një gjobë  10 000 – 20 000 lekë për çdo rast;
  • Punëdhënësi duhet të dorëzojë rregullisht sipas afatit të caktuar listëpagesat, të cilat janë i vetmi dokument, që vërteton pagesën e kontributeve për çdo punonjës;
  • Listëpagesa është dokumenti bazë për dhënien dhe llogaritjen e përfitimeve për çdo punonjës, si dhe vërtetimeve të kërkuara prej tyre.

Si bëhet pajisja e punëmarrësve me librezat e kontributeve:

  • Instituti i Sigurimeve Shoqërore pajis punëdhënësit me librezat e kontributeve të sigurimeve, shoqërore dhe shëndetësore, sipas kërkesave që bëhen pranë këtyre organeve;
  • Punëdhënësi i pajis të punësuarit me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, dhe e plotëson çdo muaj, në datën e pagesës së pagës mujore.

Si duhen trajtuar përfitimet afatshkurtra:

  • Mbështetur në Ligjin për sigurimet shoqërore, punëdhënësit duhet të llogarisin dhe të paguajnë për punëmarrësit e tyre përfitimet afatshkurtra, si për sëmundje ashtu edhe për barrëlindje;

Kur punëmarrësi është i sëmurë ose përkujdeset për fëmijën e sëmurë, që ka në ngarkim, të vërtetuar me raporte mjekesore, kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore deri në ditën e 14 me raport mjekësor deklarohen njëlloj sikur punëmarrësi të mos jetë i sëmurë dhe paguhen sipas përcaktimit në Kodin e Punës, ndërsa nga dita e 15 e raportit mjekësor punëmarresi i siguruar ka të drejtë të marrë përfitime për paaftësi të përkohëshme nga fondet e sigurimeve shoqërore.

Ç’duhet bërë për të filluar një biznes të ri?

Përpara fillimit të veprimtarisë ekonomike dhe për efekt të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, fillimisht, ju duhet të regjistroheni në Qendrën Kombëtare të Biznesit (ish QKR). Më pas, ju duhet të paraqisni pranë Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore kopjen e certifikatës së identifikimit të personit të tatueshëm. Agjencia e Sigurimeve Shoqërore, mbështetur në këtë dokument, realizon regjistrimin tuaj në organet e sigurimeve shoqërore.b) I vetëpunësuari, dy ditë pas regjistrimit në QKB, duhet të dorëzojë në organin tatimor listën e punonjësve të papaguar të familjes, me të cilët punon e bashkëjeton, formularin E-SIG 027/a “Pasqyra e të punësuarve për herë të parë, atyre rishtazi, si dhe e të larguarve nga puna”.

Si bëhet llogaritja e kontributeve?

  • Të vetëpunësuarit dhe personat e papaguar të familjes që ushtrojnë veprimtari ekonomike, sigurohen në mënyrë të detyrueshme për barrëlindje, pensione dhe sigurim shëndetësor;
  • Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vete dhe për punonjësit e papaguar të familjes, mbi 16 vjec, që punojnë e jetojnë ligjërisht, llogariten mbi bazën e pagës mujore minimale, e cila duke filluar nga data 01.01.2015, e në vazhdim është 22 000 lekë në muaj;
  • Për kontributet e sigurimeve shoqërore ju paguani 23% të pagës minimale mujore prej 22 000 lekësh, e barabartë kjo me 5 060 lekë në muaj;
  • Për kontributet e sigurimeve shëndetësore ju paguani 3,4% të dyfishit të pagës minimale mujore prej 22 000 lekësh,  pra 1 496 lekë në muaj.

Cilat janë afatet e pagesës së  kontributeve?

  • Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore paguhen çdo tremujor, brenda datës 20 të muajit të parë, pas përfundimit të çdo tremujori kalendarik. Pra jo më vonë se datat: 20 Prill, 20 Korrik, 20 Tetor, 20 Janar.
  • Kujdes, nëse kontributet nuk paguhen në kohë, zbatohen penalitete.

Ku dhe si mund të paguhen kontributet ?

  • Ju mund t’i paguani kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në filialet e bankave të nivelit të dytë ose të postës shqiptare sha;
  • Pas pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore ju dhe pjestarët e familjes me të cilët ju punoni do të pajiseni nga  Agjensia e Sigurimeve Shoqërore me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

Baza ligjore mbi të cilën paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punëmarrësit:

  • Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
  • Ligji nr. 7870, datë 13.10.1994 “Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
  • Ligji nr. 9136, datë 11.09.2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, i ndryshuar;
  • Ligji nr. 7961, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
  • VKM nr. 1114, datë 30.07.2008 “Për disa çështje në zbatim të ligjeve nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nr. 9136, datë 11.09.2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nr. 7870, datë 13. 10. 1994 “Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
  • VKM nr. 77, datë 28.01.2015, ndryshuar me VKM nr. 653, datë 22.07.2015 dhe VKM nr. 551, datë 27.07.2016 (Shkarko në PDF)
I. Kushtet për t’u siguruar.
Mbështetur në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në VKM nr. 77, datë 28.01.2015, të ndryshuar, personi që futet në skemën e detyruar të sigurimit shoqëror për t’u siguruar si i/e vetëpunësuar në bujqësi, duhet të plotësojë këto kushte:
  • Të ketë mbushur moshën 16 vjeç;
  • Të jetë i/e aftë për punë;
  • Çdo person mund të sigurohet deri në mbushjen e moshës për pension;
  • Nuk duhet të jetë i siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë;
  •  I/e vetëpunësuari/a në bujqësi duhet:

Të banojë në të njëjtin nënqark ku ka tokën bujqësore në pronësi ose në përdorim, dhe të   zhvillojë veprimtari bujqësore e blegtorale;

Të banojë në fshat, megjithëse tokën mund ta ketë në nënqarkun fqinjë.

II. Pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore.

  •   Sigurimi si i/e vetëpunësuar në bujqësi është i detyrueshëm.
  • I/e vetëpunësuari/a në bujqësi, që banon në zonat fushore, duke filluar nga data 01.01.2015 e në vazhdim, mund të derdhë kontributet për sigurimet shoqërore, kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 38 400 lekësh;
  • I/e vetëpunësuari/a në bujqësi, që banon në zonat malore, nga data 01.01.2015 e në vazhdim, mund t’i derdhë kontributet për sigurimet shoqërore, kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 29 400 lekësh;
  • Pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhen bashkarisht. Ato janë të detyrueshme dhe paguhen individualisht një herë në tre muaj.
  • Afati i fundit i këtyre pagesave është jo më vonë se dita e fundit e muajit të tretë, brenda çdo tremujori kalendarik.
  •  Njihen periudhat e sigurimit sipas përcaktimeve të bëra në VKM nr. 77, datë 28.01.2015, të ndryshuar.
  • Për të bërë sigurim për periudha të kaluara, llogaria bëhet kundrejt masave aktuale, mbi të cilën aplikohen dhe kamatëvonesat përkatëse.

III. Përfitimet që rrjedhin nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore për të vetëpunësuarit në bujqësi.

  • Kuotat e ulta të pagesave të kontributeve për sigurimin shoqëror, si rrjedhojë e politikave favorizuese shtetërore.

- Për një vit vjetërsie në punë në shtet një i/e vetëpunësuar në qytet paguan 60 720 lekë, ndërsa i/e vetëpunësuari/a në zonat fushore paguan 38 400 lekë në vit.
– I/e vetëpunësuari/a në zonat malore paguan vetëm 29 400 lekë në vit.

  • Përfitim të vjetërsisë në punë, ku njohja e periudhave për të cilat janë paguar kontribute njihet vjetërsi në marrëdhënie pune me shtetin.
  • I/e vetëpunësuari/a në bujqësi, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, është përfitues/e, sipas rastit, i/e:

- Pensionit bazë të pleqërisë;
– Pensionit të pjesshëm të pleqërisë;
– Pensionit të reduktuar të pleqërisë;
– Pensionit të invaliditetit;
– Pensionit të pjesshëm të invaliditetit;
– Pensionit familjar;

- Të ardhurës për barrëlindje;

- Shpërblimin për lindje fëmije.

IV. Dokumentacioni dhe procedurat për t’u siguruar si i/e vetëpunësuar në bujqësi.

  • I/e vetëpunësuari/a në bujqësi paraqet tek inspektori i sigurimittë të vetëpunësuarve në bujqësi të sigurimeve shoqërore këto dokumenta:- Çertifikatën familjare të lëshuar nga zyra e gjëndjes civile;

- Vërtetimin e pronësisë mbi tokën, lëshuar nga zyra e rregjistrimit të pasurisë së paluajtshme të komunës ose bashkisë.
Ose
– Akt noterial, që vërteton tjetërsimin e pronës (p.sh, qiramarrje);
– Në çdo rast, për sigurim të periudhave për vitin korent si dhe për periudha të kaluara, do të paraqitet vërtetimi i lëshuar nga komuna, ku cilësohet se personi ushtron veprimtari, bujqësore/blegtorale.

  • Inspektori i të vetëpunësuarve në bujqësi, pasi gjykon për plotësimin e kushteve për sigurim si i/e vetëpunësuar në bujqësi plotëson dokumentin tip “Urdhër veprim”.
  • Për të bërë pagesën paraqitet ky dokument në zyrën postare ose në zyrën bankare. Me kryerjen e pagesës zyra postare lëshon dokumentin “Mandat arkëtimi”, ndërsa me kryerjen e pagesës në zyrën bankare lëshohet dokumenti “Veprim arke”, i cili konfirmon kryerjen e kësaj pagese.
  • Me dokumentin “Mandat arkëtimi” ose “Veprim arke” personi paraqitet për regjistrim tek inspektori i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi, ku ka marrë “Urdhër veprimin”.
  • Këto dokumenta në asnjë rast nuk duhet t’i dorëzohen punonjësve të sigurimeve shoqërore. Ato janë personale.
  • Në fund të procedurës dhe pas pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore bëhet pajisja e detyrueshme me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

PËR TË VETËPUNËSUARIT NË BUJQËSI

  • Në zonat malore përfshihen të vetëpunësuarit në bujqësi, që banojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë.
  • Në zonat fushore përfshihen të vetëpunësuarit në bujqësi, që banojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në rrethet Berat, Kuçovë, Durrës, Krujë, Elbasan, Peqin, Fier, Lushnjë, Mallakastër, Gjirokastër, Përmet, Korçë, Pogradec, Devoll, Lezhë, Laç, Shkodër, Tiranë, Kavajë, Vlorë, Sarandë dhe Delvinë.