
Shërbimi arkivor i Arkivit Qendror të Sigurimeve Shoqërore garanton të drejtën e shfrytëzimit të dokumentacionit që administron për interes publik.
Shërbimi i dokumenteve të fondit arkivor bëhet në përgjigje të kërkesave për vjetërsinë në punë të qytetarëve drejtuar Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, Gjykatave, Prokurorive, Zyrave Avokatore etj, sipas rregullave zyrtare të përcaktuara.
Përmbysja e sistemit ekonomik, pas vitit 1990, reflektoi me mbyllje të aktiviteteve të ndryshme si kooperativat bujqësore, ndërmarrjet bujqësore, Kombinatet, Uzinat, Repartet Ushtarake etj. Dokumentacioni që pasqyronte vjetërsinë në punë të punonjësve të tyre u dorëzua, në rastin më të mirë, pranë arkivave shtetërore, sipas vendndodhjes së ushtrimit të aktivitetit, dhe në shumë raste u lanë pranë subjekteve të mbyllura apo në likujdim. Ky dokumentacion përbëhet nga regjistra themeltarë, libra pagash, bordero (listë-pagesa), libra indekse, libreza pune etj. Volumi i tyre është kaq i madh, saqë mund të llogaritet me mijëra metër linear.
Nisur nga vlera e ruajtjes, sigurisë dhe e shfrytëzimit në kohë dhe korrekt të këtij dokumentacioni, Këshilli i Ministrave me Vendimin nr. 761, datë 19.11.2004 përcaktoi ‘’Krijimin e Arkivit Qendror për sistemimin, ruajtjen dhe shfrytëzimin e dokumentacionit të periudhës së sigurimit, pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore”. Qëllimi i Arkivit Qendror të Sigurimeve Shoqërore është administrimi, përpunimi, skanimi, dixhitalizimi dhe shfrytëzimi on-line i dokumentacionit të periudhës së sigurimit në punë.
Në këtë kuadër, Instituti i Sigurimeve Shoqërore me mbështetje të Bankës Botërore, gjatë vitit 2012, përfundoi ndërtimin e Arkivit Qendror të sistemit të sigurimeve shoqërore, financuar nga kredia e BB, IDA dhe IBRD. Kjo godinë është ndërtuar duke u mbështetur në parametra bashkëkohorë, pajisur me të gjitha sistemet moderne të ajrit të kondicionuar, sistemit antizjarr me gaz, dhomë serverash, pajisje zyre dhe kompjuterike, të gjitha të reja. Pjesa kryesore e Arkivit është parashikuar për ruajtjen e dokumentacionit të vjetërsisë në punë dhe dosjeve të përfitimit, si dhe zyrat dhe facilitetet për administratën. Në këtë Arkiv do të grumbullohen të gjitha dokumentat që kanë të bëjnë me vjetërsinë në punë dhe dosjet e përfitimit nga të gjitha DRSSH-të dhe arkivat shtetërore. Krahas grumbullimit të këtij dokumentacioni do të realizohet skanimi i dokumentave të vjetërsisë (regjistra, libra page, bordero, listëpagesa) dhe më pas këto dokumenta do të dixhitalizohen sipas alfabetit alfanumerik, me qëllim llogaritjen automatike të pensioneve dhe rritjen e transparencës për kontribuesit. Ky Arkiv është pajisur me hardware dhe software të rinj, ku përfshihen dhoma e serverave, serverat, storage dhe pajisjet e telekomunikacionit, skanerat specialë për skanim të të gjitha llojeve dhe tipeve të dokumentacionit, kompjuterat dhe softi për skanim, dixhitalizim dhe transmetim të dhënash, me një kosto prej rreth 1.4 milione dollarë amerikanë. Kostoja totale e këtij Arkivi është rreth 5.4 milionë dollarë amerikanë. Ky projekt është cilësuar si një nga projektet më të sukseshme të BB në Shqipëri dhe me një impakt të madh për publikun dhe administrimin e sistemit të sigurimeve shoqërore. Puna për tërheqjen e dokumentacionit në arkiv nisi me marrjen në dorëzim të regjistrave themeltarë të kooperativave bujqësore, sipas rajoneve, në total mbi 10 mijë copë. Për këta regjistra në arkiv u krye proçesi i inventarizimit, përpunimit, çertifikimit dhe dizhitalizimit. Ka përfunduar dhe është dhënë për shfrytëzim baza e të dhënave të vjetërsisë në punë për regjistrat e kooperativave bujqësore. Në vazhdim po punohet për krijimin e bazës së të dhënave për regjistrat e subjekteve shtetërore. Deri tani ka përfunduar dixhitalizimi i regjistrave themeltarë të vjetërsisë në punë të subjekteve që kanë ushtruar veprimtari në rajonet Berat, Dibër, Fier, Gjirokastër, Kukës, Vlorë dhe brenda muajit nëntor do të përfundojë dixhitalizimi i dokumentacionit të rajoneve Korçë dhe Elbasan.
Gjithashtu në Arkivin Qendror të Sigurimeve Shoqërore tani po kryhet proçesi i marrjes në dorëzim, përpunimit, çertifikimit, skanimit dhe dixhitalizimit të regjistrave themeltarë të vjetërsisë në punë të subjekteve shtetërore të rajonit Tiranë.
Personat e interesuar për shërbime arkivore duhet të aplikojnë sipas rastit pranë agjencive lokale të DRSSH-ve, ku banojnë, duke plotësuar formularin përkatës.
Arkivi Qendror i Sigurimeve Shoqërore plotëson kërkesat për vërtetime vjetërsie në punë dhe i dërgon ato zyrtarisht në DRSSH-të përkatëse.
FORMULARËT E APLIKIMIT, QË DUHET TË PLOTËSOJNË QYTETARËT, PRANË AGJENCIVE RAJONALE TË SIGURIMEVE SHOQËRORE