Sot, më 8 tetor 2026, Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) dhe Patronato INCA nënshkruan një Protokoll Bashkëpunimi, me qëllim forcimin e asistencës, informimit dhe orientimit të qytetarëve në fushën e sigurimeve shoqërore.
Protokolli u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, z. Astrit Hado, dhe përfaqësuesi i Patronato INCA, z. Giuseppe Peri.
Bashkëpunimi synon të lehtësojë aksesin e qytetarëve në informacion dhe shërbime, veçanërisht për shtetasit shqiptarë me përvojë pune dhe migrimi në Itali, si dhe për shtetasit italianë që jetojnë në Shqipëri.
Në fokus të bashkëpunimit janë:
- asistenca për paraqitjen e kërkesave për pensione dhe përfitime të tjera të sigurimeve shoqërore, veçanërisht në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes Shqipëri–Itali për sigurimet shoqërore;
- informimi mbi të drejtat dhe procedurat që lidhen me sigurimet shoqërore në të dyja vendet
- promovimi i sigurimit vullnetar dhe informimi mbi mundësitë për plotësimin e periudhave të sigurimit
- asistenca në përdorimin e shërbimeve dhe aplikimeve online
- shkëmbimi i informacionit dhe organizimi i aktiviteteve informuese dhe trajnuese.
Ky bashkëpunim përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të lehtësimit të aksesit të qytetarëve në shërbimet e sigurimeve shoqërore dhe forcimit të bashkëpunimit institucional Shqipëri–Itali, në funksion të një shërbimi më të mirë dhe më pranë qytetarëve.











