Çfarë është pensioni për shkak të profesionit ?
Është një përfitim që u jepet për shkak të profesionit, personave në profesione e punë, në miniera në nëntokë, në industrinë e naftës e të gazit dhe në metalurgji, kur plotësojnë kushtet.
Kushtet ligjore për të përfituar pensionin për shkak të profesionit janë :
1.Periudha e sigurimit dhe vjetërsia e punës në profesion:
a) për ish-punonjësit, të cilët kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë, trajtimi me përfitime përpara moshës dhe kushteve të përcaktuara në dispozitat e ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, do të vazhdojë të bëhet sipas përcaktimeve në dispozitat e ligjit nr. 150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë” dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij;
b) për ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 1, “Punë, që hyjnë në kategorinë e parë”, krerët IV, pikat 2 e 3, dhe XI, të vendimit nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”, të ndryshuar, përcaktohet:
i) mosha: për burrat 55 vjeç; për gratë 50 vjeç;
ii) periudha e përgjithshme e sigurimit: për burrat 30 vjet; për gratë 25 vjet;
iii) vjetërsia në punë të kategorisë së parë: për burrat 15 vjet; për gratë 12,5 vjet;
c) për ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 2, “Punë, që hyjnë në kategorinë e dytë”, kreu V, të vendimit nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori, për efekt pensioni”, të ndryshuar, dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, sipas listës së miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, përcaktohet:
i) mosha: për burrat 60 vjeç; për gratë 55 vjeç;
ii) periudha e sigurimit: për burrat 30 vjet; për gratë 25 vjet;
iii) vjetërsia në punë të kategorisë së dytë: për burrat 20 vjet; për gratë 15 vjet.
Kur nuk plotësohen kushtet, sipas shkronjës “b”, të kësaj pike, periudha e punës, sipas shkronjës “b”, i shtohet periudhës së punës, sipas përcaktimeve në shkronjën “c”, të kësaj pike. Në këtë rast, kushtet e përfitimit janë ato sipas shkronjës “c” të kësaj pike;
ç) për ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në metalurgji në profesione, punë dhe ndërmarrje, sipas përcaktimeve në krerët III, VIII e XII, të pasqyrës nr. 1, të vendimit nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”, përcaktohet:
i) mosha: për burrat 60 vjeç; për gratë 55 vjeç,
ii) periudha e sigurimit: për burrat 30 vjet; për gratë 25 vjet;
iii) vjetërsia në punë të kategorisë së parë: për burrat 20 vjet; për gratë 15 vjet.
Si llogaritet pensioni për shkak të profesionit ?
Pensioni për shkak të profesionit llogaritet sipas përcaktimeve në dispozitat e ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Personi i interesuar për të përfituar pension për shkak të profesionit duhet të paraqesë kërkesën për përfitim përmes portalit qeveritar “e-Albania”, duke zgjedhur shërbimin “Aplikim për pension pleqërie, suplementar pilot, suplementar lundrues i nëndetëseve apo suplementar për akademik”.
Dokumentet origjinale dërgohen përmes shërbimit postar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ku personi i interesuar ka vendbanimin.
Baza ligjore:
- Ligj nr. 29/2019 “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji” – Shkarko në PDF
- VKM nr. 721, datë 11.11.2019 “Për përcaktimin e dokumentacionit, shumës vjetore të transfertës nga buxheti i shtetit dhe procedurave të financimit të fondit të sigurimeve shoqërore për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës dhe te gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji, i përditësuar – Shkarko në PDF
- VKM nr. 447, datë 03.06.2020 “Për emërtimet e profesioneve e të punëve, si pasojë e ndryshimeve të teknologjisë, organizimit e të pronësisë së kapitaleve, të cilat nuk përputhen apo parashikohen në vendimin nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave “Për ndarjen e punëve në kategori, për efekt pensioni”, të ndryshuar, si dhe emërtimet e profesioneve e të punëve të personelit inxhiniero – teknik në industrinë e naftës e të gazit, që ka punuar drejtpërdrejt në prodhim, në sektorë apo brigada, si :shpim-kërkim, shpim-shfrytëzim, prodhim, sizmikë, gjeofizikë kantieriale, përpunim dhe transport me naftësjellës dhe gazsjelles” – Shkarko në PDF
- VKM nr. 448, datë 03.06.2020 “Për miratimin e listës së profesioneve dhe të punëve të prsonelit inxhiniero-teknik që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës” – Shkarko në PDF