REPUBLIKA ITALIANE

Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Italiane, është ratifikuar me ligjin 47/2024 “Për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore”.

Kjo Marrëveshje është në fuqi dhe zbatohet nga data 01.07.2025.

Fushat e mbuluara :

Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore mbulon:

  • sigurimin për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe familjare;
  • përfitimet në para për sëmundje;
  • përfitimet në para për barrëlindje;
  • përfitimet e papunësisë.

Në Itali, Marrëveshja zbatohet për sigurimin e përgjithshëm të detyrueshëm për pensionet e invaliditetit, pleqërisë dhe familjare, për skemat e veçanta të sigurimit për kategori të caktuara të punonjësve, si dhe për sigurimin për sëmundje, barrëlindje dhe papunësi.

Marrëveshja nuk zbatohet për pensionet sociale dhe përfitimet e tjera jokontributdhënëse të paguara nga fondet publike, sipas kushteve të përcaktuara në Marrëveshje.

Dokumente :

Institucionet kompetente :

Zbatimi i Marrëveshjes kryhet nga institucionet kompetente të Shqipërisë dhe Italisë.

Në Republikën e Shqipërisë:

  • Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH).

Në Republikën Italiane:

  • Instituti Kombëtar i Sigurimeve Shoqërore (INPS)

Në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes përdoren formularët përkatës për shkëmbimin e informacionit ndërmjet ISSH-së dhe INPS-së.

Si funksionon procedura për përfitim?

  • Kur personi banon në Shqipëri dhe kërkon pension nga Italia, paraqet kërkesën pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore/ Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, duke plotësuar kërkesën për përfitim në kuadër të marrëveshjes dhe duke bashkëngjitur dokumentacionin e kërkuar për përfitimin sipas legjislacionit italian. Kërkesë për përfitime sipas marrëveshjes Shqipëri-Itali – Shkarko në PDF
  • Për një kërkesë për përfitim, qytetarët mund të asistohen edhe nga zyrat e patronateve italiane me qendër në Shqipëri, me të cilat ISSH ka lidhur protokolle bashkëpunimi.
  • Pas marrjes së kërkesës, ISSH dhe strukturat rajonale te saj përgatitin formularin përkatës të kërkesës, sipas llojit të përfitimit të kërkuar:

AL/IT 2, për pensionin e pleqërisë; AL/IT 3, për pensionin familjar; AL/IT 4, për pensionin e invaliditetit si dhe me formularin AL/IT 205, konfirmimin mbi periudhat e sigurimit të kryera në Shqipëri.

  • Në rastet e kërkesave për pension invaliditeti, ISSH i përcjell INPS-së edhe informacionin dhe dokumentacionin mjekësor përkatës, nëpërmjet formularit AL/IT 213
  • Dokumentacioni përkatës i përcillet INPS-së nëpërmjet portalit të dedikuar për shkëmbimin elektronik të informacionit ndërmjet ISSH-së dhe INPS-it.
  • INPS shqyrton kërkesën në përputhje me legjislacionin italian dhe njofton ISSH-në për vendimmarrjen përkatëse.

Personat që banojnë në Itali dhe kërkojnë të përfitojnë pension në zbatim të Marrëveshjes së Sigurimeve Shoqërore ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, duhet të paraqesin kërkesën pranë INPS, në përputhje me procedurat e përcaktuara nga ky institucion.

Për më shumë informacion mbi procedurat dhe mënyrën e paraqitjes së kërkesës, klikoni në linqet e faqes zyrtare te institucionit kompetent Italian (INPS).

  • https://www.inps.it/it/it/dettaglio-approfondimento.schede-informative.sicurezza-sociale-internazionale-accordo-bilaterale-con-la-repubblica-di-albania.html
  • https://www.inps.it/it/it/inps-comunica/atti/circolari-messaggi-e-normativa/dettaglio.circolari-e-messaggi.2025.07.circolare-numero-106-del-01-07-2025_14969.html

Materiale informuese

Për më shumë informacion mbi Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Italiane  në fushën e sigurimeve shoqërore dhe procedurat për zbatimin e saj, mund të konsultoni materialet informuese të përgatitura nga ISSH: