RUMANI

Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Rumanisë, është ratifikuar me ligjin 42/2016 “Për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Rumanisë për Mbrojtjen Shoqërore”.

Kjo Marrëveshje është në fuqi dhe zbatohet nga data 03.02.2025.

Fushat e mbuluara

Marrëveshja për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Rumanisë mbulon:

  • përfitimet në para për sëmundje;
  • përfitimet për barrëlindje;
  • përfitimet për aksidente në punë dhe sëmundje profesionale;
  • pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe familjare;
  • pagesat për vdekje;
  • përfitimet në natyrë për sëmundje dhe barrëlindje;
  • përfitimet në natyrë dhe në para për aksidente në punë dhe sëmundje profesionale.

Dokumente

Institucionet kompetente

Zbatimi i Marrëveshjes kryhet nga institucionet kompetente të Shqipërisë dhe Rumanisë, sipas llojit të përfitimit.

Në Republikën e Shqipërisë:

  • Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) – për përfitimet në para në lidhje me pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe familjare, sëmundjen, barrëlindjen, aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale;
  • Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) – për përfitimet në natyrë të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor.

Në Rumani:

  • Casa Națională de Pensii Publice (CNPP) – për pensionet, pagesat për vdekje dhe aksidentet në punë e sëmundjet profesionale;
  • Casa Națională de Asigurări de Sănătate (CNAS) – për përfitimet në rast sëmundjeje dhe barrëlindjeje dhe përfitimet në natyrë të sigurimit shëndetësor

Kërkesa për përfitim pensioni në kuadër të Marrëveshjes

Për paraqitjen e kërkesës për përfitim pensioni në kuadër të Marrëveshjes përdoret kërkesa për përfitim pensioni.

Si funksionon procedura ?

  • Kur personi banon në Shqipëri dhe kërkon një përfitim nga Rumania, kërkesa paraqitet pranë ISSH, duke plotësuar formularin e kërkesës për pension dhe duke paraqitur dokumentacionin përkatës.
  • Kur personi banon në Rumani dhe kërkon një përfitim nga Shqipëria, kërkesa paraqitet pranë institucionit kompetent rumun dhe përcillet pranë ISSH-së, sipas procedurave të përcaktuara në Marrëveshje.
  • ISSH dhe CNPP/ CNAS shkëmbejnë informacionin e nevojshëm lidhur me kërkesat për përfitime dhe periudhat e sigurimit të kryera në të dyja shtetet.
  • Institucionet kompetente shkëmbejnë informacionin dhe dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e të drejtave dhe njoftojnë njëra-tjetrën për vendimmarrjen mbi përfitimin.
  • Periudhat e sigurimit të kryera në Shqipëri dhe Rumani mund të merren në konsideratë së bashku, kur kjo është e nevojshme për plotësimin e kushteve të përfitimit, në përputhje me dispozitat e Marrëveshjes.
  • Secili shtet përcakton dhe paguan pjesën e përfitimit që i takon sipas periudhave të sigurimit të njohura, në përputhje me legjislacionin e vet dhe dispozitat e Marrëveshjes.