REPUBLIKA FEDERALE E GJERMANISË

Marrëveshja në fushën e mbrojtjes shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, është ratifikuar me Ligjin nr. 23/2016 “Për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë për Mbrojtjen Shoqërore dhe të Protokollit Përfundimtar të saj”

Kjo Marrëveshje është në fuqi dhe zbatohet nga data 01.12.2017.

Fushat e mbuluara

Marrëveshja për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë zbatohet për:

  • sigurimin e pensionit;
  • pensionet e pleqërisë;
  • pensionet e invaliditetit;
  • pensionet familjare;
  • në lidhje me Gjermaninë, edhe për sigurimin shtesë të korporatës së minatorëve dhe pensionin e pleqërisë për bujqit.

Dokumente

Institucionet kompetente

Zbatimi i Marrëveshjes kryhet nga institucionet kompetente dhe organizatat ndërlidhëse të të dyja Palëve Kontraktuese.

Në Republikën e Shqipërisë:

  • Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH).

Në Republikën Federale të Gjermanisë:

  • Deutsche Rentenversicherung Rheinland-Pfalz, Speyer;
  • Deutsche Rentenversicherung Bund, Berlin;
  • Deutsche Rentenversicherung Knappschaft-Bahn-See, Bochum;
  • Sozialversicherung für Landwirtschaft, Forsten und Gartenbau, Kassel.

Marrëveshja parashikon përdorimin e formularëve të përbashkët për paraqitjen e kërkesave për pension, deklarimin e periudhave të punësimit, verifikimin e periudhave të sigurimit, shkëmbimin e informacionit mjekësor dhe njoftimin e vendimeve ndërmjet institucioneve kompetente të Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Formularët e kërkesës për pension në kuadër të Marrëveshjes

Formularët e mëposhtëm përdoren për paraqitjen e kërkesave për përfitime nga qytetarët, në kuadër të Marrëveshjes për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë.

Si funksionon procedura ?

  • Kur personi banon në Shqipëri dhe kërkon një përfitim nga Gjermania, kërkesa paraqitet pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), duke plotësuar AL/DE 1 për pension pleqërie ose invaliditeti, ose AL/DE 2 për pension familjar. Formularët shoqërohen me deklaratën mbi periudhat e punësimit AL/DE 6, sipas rastit.
  • Kur personi banon në Gjermani dhe kërkon një përfitim nga Shqipëria, kërkesa paraqitet pranë institucionit gjerman kompetent. Formularët përkatës DE/AL, së bashku me deklaratën e punësimit DE/AL 6, plotësohen dhe përcillen nga institucioni gjerman tek ISSH.
  • Institucionet kompetente shkëmbejnë informacionin e nevojshëm për verifikimin e periudhave të sigurimit nëpërmjet formularëve AL/DE 5 dhe DE/AL 5.
  • Në rastet e pensioneve të invaliditetit, informacioni mjekësor shkëmbehet nëpërmjet formularëve AL/DE 7 dhe DE/AL 7.
  • Periudhat e sigurimit të kryera në Shqipëri dhe Gjermani mund të merren në konsideratë së bashku, kur kjo është e nevojshme për plotësimin e kushteve të përfitimit, në përputhje me dispozitat e Marrëveshjes.
  • Secili shtet përcakton dhe paguan pjesën e pensionit që i takon sipas periudhave të sigurimit të njohura, në përputhje me legjislacionin e vet dhe dispozitat e Marrëveshjes.
  • Vendimet për pension dhe informacionet përkatëse ndërmjet institucioneve kompetente shkëmbehen nëpërmjet formularëve AL/DE 3 dhe DE/AL 3.