ISSH forcon bashkëpunimin me Austrinë për modernizimin e shërbimeve dhe përshpejtimin e procedurave për qytetarët

Në datat 7–9 korrik 2026, Instituti i Sigurimeve Shoqërore organizoi në Tiranë Seminarin për Koordinimin e Sigurimeve Shoqërore dhe Takimin e Zyrave Ndërlidhëse Shqipëri–Austri, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ministrisë Federale të Punës, Çështjeve Sociale, Shëndetësisë, Kujdesit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Austrisë, Federatës Austriake të Sigurimeve Shoqërore (DVSV) dhe Institucionit Austriak të Sigurimit të Pensioneve (PVA).

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes Dypalëshe për Sigurimet Shoqërore Shqipëri – Austri dhe procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, duke krijuar një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira ndërmjet dy vendeve.
Gjatë seminarit teknik, ekspertët austriakë prezantuan përvojën e tyre në :
• vlerësimin e aftësisë për punë dhe invaliditetit;
• monitorimin e personave që dërgohen për të punuar përkohësisht në shtetin tjetër, duke mbetur të siguruar sipas legjislacionit të vendit të origjinës;
• llogaritjen e pensioneve në kuadër të koordinimit të skemave të sigurimeve shoqërore ndërmjet shteteve, përmes bashkimit të periudhave të sigurimit;
• përdorimin e sistemeve elektronike për shkëmbimin e informacionit ndërmjet institucioneve të sigurimeve shoqërore.

Në datat 8 – 9 korrik, gjatë Takimit të Zyrave Ndërlidhëse, delegacionet diskutuan çështje konkrete që lidhen me zbatimin e Marrëveshjes, procedurat administrative në fushën e pensioneve, zhvillimet më të fundit ligjore dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Në qendër të këtij bashkëpunimi mbetet qytetari. ISSH është e angazhuar të përfitojë nga përvoja dhe praktikat më të mira të partnerëve ndërkombëtarë, me qëllim ofrimin e shërbimeve sa më efikase, moderne dhe të shpejta për qytetarët shqiptarë, veçanërisht për ata që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

Një nga rezultatet më të rëndësishme të takimit ishte dakordësia për të avancuar shkëmbimin elektronik të formularëve dhe të të dhënave ndërmjet institucioneve të sigurimeve shoqërore, mbi bazën e standardeve të sistemit evropian EESSI. Ky proces do të mundësojë përshpejtimin e trajtimit të kërkesave ndërmjet institucioneve, do të reduktojë ndjeshëm kohën e komunikimit që sot varet nga posta fizike dhe do të kontribuojë në ofrimin e shërbimeve më të shpejta, më të sigurta dhe më cilësore për qytetarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *