Këshilli Administrativ i ISSH – së miratoi koeficientët e indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2024

Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, më datë 11 mars 2026, zhvilloi mbledhjen e tij të rradhës, nën drejtimin e Kryetares së tij, znj. Delina Ibrahimaj.

Në këtë mbledhje u miratua projektvendimi “Për miratimin e koeficientit të indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2024, për llogaritjen e pensioneve”.

Ky projektvendim, i cili pritet të kalojë për miratim edhe në Këshillin e Ministrave, do të krijojë mundësinë e rivlerësimit të pagës mesatare mbi të cilën kalkulohet shuma mujore fillestare e pensionit, për të gjithë personat që ju lind e drejta për pension nga data 01.01.2026 dhe në vazhdim.

Koeficienti i indeksimit i propozuar në këtë vendim, do të ndikojë në rritjen e bazës së vlerësuar për rreth 40 mijë persona që do të aplikojnë për pensione të reja nga janari i vitit 2026, duke bërë të mundur që pensionet e tyre të jenë të harmonizuara me kontributet e derdhura.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore vijon të jetë i angazhuar për të realizuar objektivat e për të përmbushur të gjitha detyrimet, si dhe për mbarëvajtjen e shërbimeve, ndaj qytetarëve.