Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, zhvilloi sot mbledhjen e rradhës, nën drejtimin e Kryetares së tij znj. Delina Ibrahimaj, në të cilën analizoi aktivitetin financiar të ISSH për vitin 2025 dhe miratoi “Rezultatin financiar të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2025”.
Të ardhurat kontributive të drejtpërdrejta për vitin 2025 u realizuan në masën 154.7 miliardë lekë, me një tejkalim rreth 1,332 milionë ose 101%, kundrejt planit. Si rezultat i punës kundër informalitetit të pagave, të ardhurat rezultuan një rritje prej 10.9% më shumë kundrejt vitit 2024.
Numri i kontribuesve që kanë kontribuar direkt në skemën e sigurimeve shoqërore, në vitin 2025, arriti në 839,910 persona, rreth 31.5 mijë persona me shumë krahasuar me vitin 2024, ose 3.9% më shumë.
Këshilli Administrativ miratoi gjithashtu projektvendimin e Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 77, datë 28.01.2015”, me qëllim përditësimin e ndryshimeve të kryera për mënyrën e llogaritjes së pagës maksimale sipas Ligjit Nr. 64, datë 21.07.2023, për përllogaritjen e kontributeve për kategoritë të cilat kanë detyrimin për pagimin e tyre si dhe përjashtimin e kategorisë së pensionistëve të vetëpunësuar nga detyrimi per pagesën e kontributit të sigurimit shoqëror.
Gjatë fjalës së saj, Kryetarja e Këshillit Administrativ, znj. Delina Ibrahimaj, vlerësoi punën e bërë, veçanërisht në mbajtjen e shpenzimeve brenda limiteve të programuara, performancën financiare pozitive të ISSH – së, rritjen e numrit të kontribuesve në sasi dhe cilësi si dhe në qëndrueshmërinë e skemës së sigurimeve shoqërore.
Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, z. Astrit Hado, vuri theksin në mirëadministrimin e skemës, por edhe në punën e bërë në drejtim të ruajtjes së programuar të shpenzimeve dhe realizimin, sipas programit të buxhetit të miratuar nga Kuvendi.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore mbetet i angazhuar në realizimin e objektivave strategjike për vitin 2026, për të rritur më tej të ardhurat kontributive, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve për qytetarët, si dhe për zbatimin e politikave të Qeverisë dhe transfertave në buxhetet familjare në mënyrë të saktë dhe në kohë.