Instituti i Sigurimeve Shoqërore nën drejtimin e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, zhvilloi mbledhjen e radhës të Këshillit Administrativ, në të cilin u shqyrtuan dhe u miratuan disa vendime të rëndësishme për funksionimin e institucionit dhe mbështetjen e shtresave në nevojë.
Në këtë mbledhje, Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore z. Astrit Hado, paraqiti për shqyrtim projektvendimin e Këshillit të Ministrave “Për miratimin e Statutit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore”. Statuti është dokumenti themelor që përcakton organizimin, funksionimin dhe drejtimin e ISSH-së, duke synuar forcimin e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e eficiencës administrative.
Këshilli Administrativ miratoi gjithashtu projektvendimin e Këshillit të Ministrave “Për një ndryshim në vendimin nr. 723, datë 19.11.1998, ‘Për zbatimin e ligjit nr. 7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar”. Ndryshimi i miratuar parashikon rritjen e vlerës së kompensimit për rimbursimin e shpenzimeve për blerjen e karburanteve dhe vajrave lubrifikante për invalidët e punës, nga 10,000 lekë, në 15,000 lekë.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore mbetet i angazhuar në përmirësimin e vazhdueshëm të skemave ekzistuese, forcimin e lidhjes ndërmjet kontributeve të paguara dhe përfitimeve të ardhshme, si dhe modernizimin e proceseve të punës përmes informatizimit të sistemit dhe përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarëve.