Nisin diskutimet për mbrojtjen sociale të shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Kosovë dhe anasjelltas. Në kuadër të hartimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit të Shqipërisë me vende të tjera në fushën e njohjes së periudhave kontributive të sigurimeve shoqërore, Drejtues të Institutit të Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë, përfaqësuesit e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës dhe anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës zhvilluan sot një takim të përbashkët në Prishtinë. ISSH u përfaqësua në këtë takim nga Drejtoresha, znj. Vjollca Braho, drejtues të tjerë të institucionit, të shoqëruar edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi. Në anën tjetër institucionet pensionale të Kosovës përfaqësohen nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, permes Këshilltarit të Ministrit, z. Behxhet Gaxhiqi, dhe nga Drejtori i Departamentit të Administratës Pensionale, z. Sami Salihu, si dhe nga FKPK-ja, që përfaqësohet nga Kryesuesi i Bordit, z. Ymer Havolli, së bashku me anëtarët e tjerë vendës të Bordit, dhe Menaxhmenti i FKPK-së. Në fjalën e saj, znj Braho vuri theksin në rëndësinë që ka arritja e një marrëveshjeje me Republikën e Kosovës, për t’i dhënë mundësi qytetarëve të të dy vendeve që asnjë kontribut i paguar të mos humbasë, por të kthehet si pension. “Në vazhdimësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve, unë jam shumë e kënaqur që ndodhem sot këtu për të diskutuar mbi hapjen e bisedimeve për njohjen e periudhave kontributive mes dy vendeve. Pavarësisht marrëveshjeve të tjera që kemi nënshkruar në këtë fushë, asnjë prej tyre nuk ka rëndësinë ligjore dhe shpirtërore që ka arritja e një marrëveshje të tillë me Kosovës”, deklaroi Braho. Po ashtu në këtë frymë edhe drejtuesit kosovarë shprehën kënaqësinë dhe gadishmërinë e tyre përhapjen e bisedimeve mes dy vendeve. Pas këtij takimi pritet që të dyja palët të shohin mundësitë konkrete të harmonizimit të legjislacionit përkatës që do të mundësonte këtë proces. Aktualisht vlerësohet se janë me qindra shtetas të Shqipërisë të punësuar në Kosovë dhe anasjelltas. Përveç kësaj pritshmëritë janë që në të ardhmen e afërt numri i këtyre të punësuarve të rritet ndjeshëm, sidomos pas iniciativës së fundit që tregu i punës mes Shqipërisë dhe Kosovës të liberalizohet plotësisht.