Instituti i Sigurimeve Shoqërore zhvilloi sot më datë 5 qershor 2025 mbledhjen e rradhës, në të cilën miratoi projektvendimin “Për miratimin e koeficientit të indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2023, për llogaritjen e pensioneve”.
Ky projektvendim, i cili pritet të kalojë për miratim edhe në Këshillin e Ministrave, do të krijojë mundësinë e rivlerësimit të pagës mesatare mbi të cilën kalkulohet shuma mujore fillestare e pensionit, për të gjithë personat që ju lind e drejta për pension nga data 01.01.2025 dhe në vazhdim.
Koeficienti i indeksimit i propozuar në këtë vendim, do të ndikojë në rritjen e bazës së vlerësuar për rreth 40 mijë persona që do të aplikojnë për pensione të reja nga janari i vitit 2025, duke bërë të mundur që pensionet e tyre të jenë të harmonizuara me kontributet e derdhura.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore vijon të jetë i angazhuar për të realizuar objektivat e për të përmbushur të gjitha detyrimet, si dhe për mbarëvajtjen e shërbimeve, ndaj qytetarëve.