

Në Tiranë, u zhvillua raundi i parë i negociatave me vendin fqinj, në përfundim të të cilit u nënshkrua Marrëveshja Kuadër, në fushën e sigurimeve shoqërore, mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Delegacioni shqiptar u kryesua nga Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Olta Manjani, ndërsa delegacioni malazez u kryesua nga Zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, znj.Edina Dešić.
Gjatë negociatave mori pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado, i cili prezantoi në mënyrë të detajuar funksionimin e skemës shqiptare të sigurimeve.
Këto negociata u zhvilluan në frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të plotë mes të dyja palëve, ndërsa raundi i ardhshëm do të zhvillohet në Podgoricë.
Janë rreth 2,500 shtetas shqiptarë, kryesisht sezonalë, të cilët punojnë në vendin fqinj dhe që parashikohet të përfitojnë nga kjo marrëveshje, e cila pasi të kalojë të gjitha proceset teknike, do të kërkojë edhe ratifikimin nga Parlamentet respektivë për të hyrë në fuqi.
Shqipëria ka aktualisht në fuqi 11 marrëveshje dypalëshe, ndërsa 6 janë në proces diskutimi.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore po intensifikon punën për të rritur numrin e marrëveshjeve dypalëshe, që garantojnë mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë, të cilët nga bashkimi i periudhave do të kenë mundësi të plotësojnë kushtet ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet.